Emisioni “Shqip” mbylli këtë të hënë me kandidaten Miranda Rira në Përrenjas dhe Majlinda Bufin në Roskovec, ciklin e emisioneve kushtuar gruas në fushatë, një hapësirë e posaçme për kandidatet femra nga të dyja kahet e politikës.
Dy kandidatet e Aleancës për Shqipërinë Europiane hoqën dorë nga mandati i deputetes për të drejtuar dy bashkitë e mësipërme.
Miranda Rira tha se ka një platformë të qartë për Përrenjasin. Ajo u ndal edhe në një projekt për shndërrimin e liqenit artificial të qytetit dhe ndërtimin e një shëtitorje aty për banorët. Por kjo, shtoi ajo, nuk është shtylla e programit, që bazohet më shumë tek zhvillimi ekonomik i zonës.
“Kemi hartuar një projekt realist. Liqeni është i pashfrytëzuar komplet, kemi menduar që të krijojmë një shëtitore, por ky nuk është elementi më i rëndësishëm i planit. Pjesa kryesore mbështetet në një platformë ekonomike”, tha Rira.
Ndërkohë, kandidatja e ASHE-së në Roskovec u zotua që mes shumë problemesh të tjera, që ajo sheh në bashkinë e Roskovecit, t’i japë zgjidhje çështjes së tokave, që plagë e trashëguar që nga viti 1991 në këtë zonë.
“Mendoj që Roskoveci në atë situatë që është sot, ka nevojë për një drejtim ndryshe, për një menaxher ndryshe. E njoh Roskovecin dhe gjithmonë kam pritur që Roskoveci të jetë diçka ndryshe, të bëhet diçka ndryshe. Roskoveci është kryesisht bujqësor. Toka ëshë ndarë me ligjin 7501, që nga 1991 e deri më tani. Problemet janë të mbartura, probleme kufijsh, sipërfaqesh, të rrugëve. Pjesa më e madhe e banorëve nuk janë pajisur me certifikatë pronësie. Një pjesë e mirë e këtyre problemeve nuk zgjidhen nga Parlamenti, nuk zgjidhen nga qeveria qendrore, këto zgjidhen me vullnet nga pushteti vendor. Një pjesë e këtyre problemeve kanë ngelur ashtu si pasojë e mungesë së vullnetit të pushtetit vendor. Një nga objektivat e programit është zgjidhja e problemeve të tokës”, tha ajo.
I ftuar në panel ishte edhe kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, i cili vlerësoi rritjen e pjesëmarrjes së grave në politikë.
“Gratë e Shqipërisë kanë ndryshuar shumë, kanë përparuar dhe këtë dekadën e fundit kanë emancipuar në politikë, në ndryshim nga burrat që janë përkeqësuar. Sot shkalla e arsimimit të grave është më e lartë se e burrave në Parlament”, tha Shehi.
Analisti Lutfi Dervishi deklaroi se, “sa më shumë gra në Parlament, aq më pak probleme do të kishim me dekriminalizimin”.
“Gjëja e përbashkët është që nëse gratë e ndërrojnë për traditë, në Parlament ke njerëz që kanë ndërruar emrin dhe mbiemrin. Gratë ndërrojnë mbiemrin për burrin dhe burrat emrin e mbiemrin për krimin”, tha ai.
Në analizë të Dervishit, përpos zbutjes së problemit të dekriminalizimit, gratë në politikën shqiptare nuk janë përfolur për korrupsion dhe për këtë ai inkurajon pjesëmarrjen.
Dashamir Shehi deklaroi se prezenca masive në listat e këshillave bashkiakë e grave sot është një garanci për ngritjen e një brumi të suksesshëm të grave politikane në të ardhmen.
Top Channel