Nga Feride Papleka – “Një vend që nuk ka më legjenda është i dënuar të vdesë nga të ftohtit. Një popull që nuk do të kishte mite, tashmë do të ishte i vdekur” – George Dumezil
Ka emra që shndërrohen në personazhe legjendare për historinë e një kombi. Ata shquhen për guxim, ide dhe vepra të fuqishme që mbeten flamur, si në kohë të stuhishme, ashtu edhe në kohë paqeje. I tillë është edhe luftëtari i madh, Isa Boletini, trim i paepur, të cilin e lindi dhe e farkëtoi zjarri i luftërave për liri të popullit shqiptar. Ai shquhet për nga forca frymëzuese universale e veprës së tij, nga gjenia e karakterit, nga përkushtimi me mish e me shpirt ndaj çështjes themelore, lirisë së popullit të tij.
Trimëria e jashtëzakonshme, si dhe mendja e kthjellët për të vepruar dhe për të thënë fjalën e vet në çaste vendimtare, atëherë kur luhej me fatet dhe ekzistencën e kombit shqiptar, kanë bërë që ai të meritojë nderimin mbarëpopullor, të cilin nuk e kanë fat të gjithë njerëzit e shquar. Ai është luftëtar që jetën e tij ia kushtoi atdheut, duke luftuar trimërisht. Isa Boletini vdiq krenar, me armë në dorë, ashtu si vdesin bijtë e vërtetë të një kombi që dallgët e historisë nuk e zhdukën dot.
***
Isa Boletini ishte fare i ri kur u krijua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, por ai mori pjesë si luftëtar i saj në disa beteja çlirimtare. Ai u ndodh krah atdhetarëve që luftonin kundër osmanëve, por edhe kundër synimeve pushtuese të Serbisë e Malit të Zi. Në fillim të shekullit XX u vu në krye të qëndresës popullore në Kosovë kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi dhe Austro-Hungarisë në Shqipëri.
Boletini përkrahu revolucionin xhonturk të vitit 1908, por më vonë iu kundërvu politikës antishqiptare të xhonturqve. Në kryengritjet e mëdha që çuan në shpalljen e pavarësisë, ai u kalit si udhëheqës dhe organizator, sa shtypi i kohës e cilësoi atë si “shpirtin” e kryengritjeve. Vendet ku ai udhëhoqi shqiptarët kundër osmanëve, janë vende betejash historike, si Shtime, Drenicë, Mitrovicë, Boletin, Podujevë, Prishtinë.
Më 1912, Boletini u vu në krye të çetave të armatosura vullnetare për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga synimet pushtuese serbe. Ai ëndërroi dhe luftoi për një Shqipëri natyrore, të pavarur, të bashkuar, në fqinjësi të mirë dhe paqe me të gjitha shtetet që kishte në kufi. Kur u shpall Pavarësia, ai hyri në Vlorë në krye të përfaqësuesve të Kosovës, për të qëndruar krah Ismail Qemalit dhe mori pjesë në organizimin e forcave të para të armatosura të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.
Më 1913, ai shkëlqeu si anëtar i delegacionit shqiptar që kundërshtoi me forcë vendimet e Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë. Pastaj ai e vijoi qëndresën në trevat e Kosovës ku u shqua si udhëheqës popullor i sprovuar. Ai u vra pabesisht më 23 janar 1916, në Podgoricë, ku gjendej i internuar. Kështu mori fund jeta e një njeriu që i kishte investuar energjitë e tij për çështjen shqiptare. Qëndrimi i tij heroik në çastet e fundit, është si një rrëfim i pambaruar epik i jetës së një heroi legjendar që nuk iu tremb vdekjes në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ai është një pishtar i ndezur në altarin e lirisë.
***
Boletini është me fat të lumtur që ka qenë edhe largpamës. Ai bën pjesë në elitën e iluministëve, të atyre që me fuqi intelektuale të lindura hodhën dritë mbi arsyen. Te drita dhe liria shihet dhe njihet e vërteta. Prandaj Isa Boletini quhet një shqiptar me vlera të mëdha, një model i shenjtë që do të frymëzojë brezat me të vërtetën e luftës së tij të pamposhtur.
Ai ka shprehur që një shekull përpara, opinione që megjithëse përfshihen në Deklaratën e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut, më 1948, vetëm në fund të shekullit XX dhe në fillimet e shekullit XXI kanë gjetur terrenin praktik për t’u zbatuar. Ajo afirmon lirinë dhe barazinë e të gjithë njerëzve. Jo më pak se para njëqind vjetësh, Isa Boletini ka shprehur ide që duken të pabesueshme për mendësinë e kohës: të drejta të barabarta për serbët dhe shqiptarët. Ai është një hero i lavdishëm dhe i përjetshëm i kombit.
***
Prirjet për një organizim të lidhur thellë me marrëdhëniet njerëzore, Boletini i shfaqi që herët. Veprimtaria luftarake kundër padrejtësive ndaj popullit shqiptar e bëri atë një mbrojtës të vendosur e të vetëdijshëm të trojeve etnike, por edhe një komandant të aftë për të vazhduar betejat për liri e për t’i kurorëzuar ato me fitore. Sidoqoftë kjo nuk e pengonte aspak atë që të shihte qartë të drejtat e barabarta të një popullate, krahas një popullate tjetër dhe t’ia shprehte Hasan Prishtinës, zëdhënësit të shpirtit luftarak të shqiptarëve në Kosovë dhe trojet shqiptare të pushtuara apo në Kuvendet e njohura të burrave në Kosovë.
Zviceranët kanë si model të tyre, Vilhelm Telin (Wilhelm Tell), një figurë legjendare, simbol i bashkimit dhe pavarësisë së tyre, të cilit i referohen edhe sot e kësaj dite. Ndryshe nga heroi zviceran, Isa Boletini është njëherësh figurë historike dhe legjendare. A është logjike që shqiptarët ta zbrazin panteonin e tyre shpirtëror duke mohuar dhe duke përdhosur një personalitet historik dhe një mit të gjallë?
Forca të dyshimta dhe doemos kundër kombit dhe historisë së tij duan ta ristrukturojnë të kaluarën, ta kthejnë atë përmbys e të mbjellin kaosin, por ajo ka ligjet e veta dhe nuk u përshtatet dëshirave të individëve që megjithëkëtë i trazojnë përkohësisht mendjet e paformuara e të paqarta. Sigurisht, Isa Boletini nuk është i vetmi, kundër të cilit është bërë përpjekje për të hedhur baltë në ditët tona. Janë me dhjetëra të tjerë që i ka shenjtëruar vepra e tyre në shërbim të atdheut e lirisë e që janë vënë në shënjestër nga forcat e errësirës. Të interpretosh sot fjalët e Boletinit, t’i ushqesh ato me paragjykime raciste e shoviniste, është një verbëri që çon në përfundime të gabuara dhe qesharake.
Përpjekja për të goditur figurat e shenjta të historisë, është përpjekje për të goditur kujtesën kolektive. Media, kjo makineri thjeshtë dhe masive, jo rrallë bëhet zëri i mediokritetit, i gënjeshtrës dhe i zhurmës. Individë të bindur ose viktima të paguara nga rryma të caktuara politike apo fetare, duan të rrëzojnë ndonjë mit e të ngrenë një mit tjetër, një “idhull pa krena” në vend të tij. Megjithatë ata nuk do të arrijnë kurrë ta ndryshojnë konstelacionin e ndritshëm ku shkëlqejnë përherë vetëm yjet e mëdhenj.
Dhe Isa Boletini i përket konstelacionit me yje të mëdhenj.
Shënim:
Episodi që sintetizon madhështinë e figurës së Isa Boletinit është qëndresa e tij përballë mercenarëve që i kishin ngritur pritë për ta vrarë. Në librin Kongresi i Berlinit e Verilindja e Shqipnisë, të prof. dr. Rexhep Krasniqit, shkruhet:
“…vetë Isa Boletini u vra. Por ai luftoi trimnisht edhe ma gjatë kur mbeti vetëm në rrugë të madhe, të hapun. I plagosun, u çu në gjunj dhe megjithëse shumë i dobësuem për të mbajtur pushkën, ai gjuejti me kobure, të paktën sa të merte gjakun e tij. Ati i jem vrapoi drejt tij dhe shqiptari “i egër”, e vuri koburen në dorën e majtë, por nuk pat kohë me gjuejtë. Një ushtar e kish vu në shënjestër dhe ai u rrëzu përtokë. Ati i jem vrapoi pranë dhe Isa i hodhi një vështrim me sytë e vet të përgjakshëm, tha diçka në gjuhën e vet që ati jem nuk e kuptoi e dha shpirt. Ati jem ia mori pushkën e madhe me dorezë argjendi dhe e mbajti në shtëpi si kujtimin e vet ma të çmueshëm… Nuk ishte për t’u çuditë që na fëmijët mbajtëm zi për Isa Boletinin. Edhe ati ynë mbajti zi, megjithëse ishte krenar që çeta e vet e rrëzoi përdhe Isa Boletinin. Ishte një keqardhje e posaçme, ma tepër një admirim për një “hero” të një Shqipnije të egër, të cilit nuk i trembej syni e që luftoi në një fushë të thatë, në një rrugë të zbrazët, pa kërku mëshirë e pa dhanë të falun, i papërkulshëm dhe i pambrojtun. Ishte edhe admirimi me keqardhjen tonë. Në qoftë se njeriu ka për me vdekun, kishte me kenë shum ma mirë të vdiste si Isa Boletini.” (faqe 19, Tiranë 2007.)
Top Channel