Basha: 21 Qershori, dita e gjykimit. Rama-Meta nuk shohin varfërinë

15/06/2015 00:00

Në mitingun përmbyllës të fushatës në Korçë, Lulzim Basha deklaroi se opozita nuk shkon para qytetarëve me broçkulla, por me përulje dhe vendosmëri për t’u shërbyer.

Basha këmbëngul se 21 Qershori është dita e gjykimit për dyshen Rama-Meta, prioriteti i së cilës, sipas kreut të demokratëve, është kontrolli dhe pushteti absolut.

“Dyshja Rama-Meta dhe çirakët e tyre në këto zgjedhje, për dy muaj me radhë nuk ofruan asnjë zgjidhje për ju. As nuk ua ka zënë goja varfërinë, papunësinë, problemet tuaja më të mëdha. Janë munduar t’u ikin këtyre problemeve dhe janë mundur të na bindin se nuk do zgjedhim, por do të emërojmë kryetarë komunalesh. Të tjera prioritete ka Edi Rama dhe Ilir Meta, kontroll absolut, pushtet absolut, trajtimin e qytetarëve si njerëz pa dinjitet dhe kapjen e institucioneve të fundit që është pushteti vendor. Janë duke bërë kërcënime, shantazhe, presione, diversione për të mashtruar qytetarët që të mos ta kthejnë 21 Qershorin në atë që është dhe duhet të jetë; dita e gjykimit popullor me votë”, tha Basha.

Për Partinë Demokratike mazhoranca nuk e sheh varfërinë dhe papunësinë, që sipas Bashës, janë dy problemet më të mëdha sot për shqiptarët.

“U plaçin sytë atyre që nuk shohin varfërinë që kanë mbjellur! U plaçin sytë atyre që nuk shohin papunësinë që kanë mbjellë! U ngeltë buka në fyt atyre që hanë bukën e korrupsionit duke ja hequr nga tavolina atij që nuk ka!”, deklaroi kreu i demokratëve.

Basha tha se, Rama pranoi papunësinë dhe varfërinë para vlonjatëve në takimin elektoral të një dite më parë, por sërish, sipas tij, nuk ofron zgjidhje për to. 

Top Channel