Si çdo të premte për të komentuar mbi aktualitetin politik të ditës, i ftuar në studiot e edicionit qendror të lajmeve në Top Channel, ishte analisti Skënder Minxhozi.
Ilir Paço: Zoti Minxhozi, kemi pasur një fushatë përgjithësisht të qetë, e cila duket se është ndezur ditët e fundit me akuza të ashpra mes palëve për blerje apo manipulime të votës, ku mjafton të përmendim rastet e Durrësit apo Vorës. Ndërkohë, edhe ndërkombëtarët, ambasadori amerikan kryesisht, po apelon thuajse çdo ditë për qytetarët që të votojnë, të mos e shesin votën dhe të mos votojnë të inkriminuarit.
Skënder Minxhozi: Fushata ka qenë e qetë, normale nga pikëpamjet e qetësisë. Sa i takon institucioneve të shtetit nuk shohim një përdorim masiv të administratës në fushatë, dhe strukturat e shtetit nuk përdoren rëndom në fushatë. Sa i takon shit-blerjes së votës, ky fenomen duket më së shumti në zona si Durrësi, Vora dhe diku tjetër, ku rezultati është i ngushtë, por nuk duket një fenomen masiv. Është e ligjshme që opozita të ngrejë zërin, çdo palë të ngrejë zërin.
Ilir Paço: Po hyjmë në javën e fundit të fushatës dhe duket se partitë po ndezin motorët tashmë, apo jo?
Skënder Minxhozi: Deri tani kemi pasur një fushatë nga ato që quhen dëgjesa. Dukeshin si inskenime të përgatitura me regji dhe kujdes nga partitë për të dhënë imazhin e kandidatit që komunikon me zgjedhësit. Sot po ndryshon marsh fushata, po hyn në fazën finale, ku partitë kanë kaluar në mitingje masive, galvanizojnë njerëzit, por brenda këtij fenomeni, do të thoja që emërues i përbashkët i kësaj fushate, ka një intensitet më të lartë të mazhorancës dhe më të ulët të opozitës. E dukshme është që nëse qeveria ka humbur pikë në këto dy vite, pala tjetër nuk po tregohet aq e aftë për të marrë këto pikë të humbura.
Top Channel