Zamira Çavo – Opozita politike sot është në rënie të shpejtë drejt humbjes së kredibilitetit të saj politik.
Në prag të zgjedhjeve për pushtetin vendor, kjo rënie bëhet edhe më e rrezikshme për të ardhmen e shqiptarëve. Nëse vazhdon kështu, ka shumë rrezik që rilindja të gllabërojë edhe pushtetin lokal, duke i dhënë vetes një shumëfishim fuqie politike që në mendimin tim nuk shkon në favor të shqiptarëve. Por le të analizojmë situatën reale.
Opozita, gjithnjë e më shumë shfaqet apatike, por me gjuhën e vjetër të dhunës, shpifjes dhe agresivitetit verbal. Lideri i saj, z. Basha, pavarësisht përpjekjeve për të demonstruar një profil të ri drejtuesi, çdo ditë e më shumë dëshmon se nuk është i aftë të gjenerojë as ide dhe as praktika të reja politike. Fakti që në Tiranë si kryebashkiak nuk bëri pothuajse asgjë, është edhe një tjetër minus për liderin që bën fushatë në të gjithë Shqipërinë, por jo në Tiranë. Kandidatët e vendosur nga opozita kanë zë të dobët dhe shpesh nuk dëgjohen fare. Debatet televizive po tregojnë se këta kandidatë, gjithnjë e më shumë humbasin vlerë në sytë e publikut. Lideri në hije i opozitës, z. Berisha, në daljet e tij publike në Parlament ose jo, ngre probleme që fatkeqësisht i janë kthyer kundër dhe e kanë bërë edhe më tragjikomike situatën e opozitës politike. Ndoshta Grida Duma dhe Voltana Ademi, me përpjekjet e tyre titanike, mbajnë gjallë besimin e ndonjë fitoreje të mundshme. Ku ka gabuar e po gabon opozita?
Së pari, opozita u tregua krejtësisht e paaftë në krijimin e koalicioneve parazgjedhore. Kjo e ka rrudhur edhe më shumë veprimin politik të saj. Dhe ky është gabim strategjik. Në zgjedhjet parlamentare e zgjeroi kaq shumë koalicionin sa ka futur në Parlament deputetë që nuk kanë fare lidhje me Partinë Demokratike apo të afërta me të. Këtu ku duhej koalicioni, pra në zgjedhjet vendore, kjo gjë u la pas dore.
Së dyti, në mungesën e ideve të reja. Gjuha politike është e vjetër dhe argumentet që sillen për fushatë janë jashtë kohe dhe ulin besueshmërinë e publikut. Z. Kosova, si kandidat për Bashkinë më të madhe, ka një mungesë të dukshme të kulturës së komunikimit. Të qenët “burrë i mirë” apo “babaxhan” mund ta bëjë të pranueshëm në periferi, por jo në kryeqytet. I “braktisur” nga lideri në këtë fushatë, z. Kosova shfaqet edhe më i “përvuajtshëm” në përpjekjet e tij personale për të bërë fushatë dinjitoze.
Së treti, opozita po gabon në argumentet që po përdor për fushatën. Përsëritjet për ulje çmimesh, taksash dhe rritje pagash e pensionesh e bëjnë pa vlerë fushatën dhe pse në dukje pretendohet se pas zgjedhjeve lokale do vijnë zgjedhjet e përgjithshme. Vetëm mendje infantile mund ta orientojnë fushatën në këtë mënyrë.
Po Rilindja? Rilindja, edhe pa këto pluse që po ia ofron në tryezë opozita, ka nevojë për një qëndrim opozitar të fortë. Pushteti i rilindjes ka nevojë të mbahet nën kontroll nga qytetarët, nga shoqëria civile, por më shumë se nga këta, duhet të mbahet nën kontroll nga opozita politike. E them këtë sepse:
Rilindja dëshiron të bëjë shtet dhe përpjekjet e saj janë vërtet të lavdërueshme. Por të gjithë e dimë se në kushtet tona, të bësh shtet do të thotë të humbasësh pushtet, pasi grupe apo shtresa të ndryshme të popullsisë cenohen, preken dhe mund të të ngrihen kundër. Por nëse tenton të bësh shtet dhe njëkohësisht të të forcohet pushteti, kjo përbën padyshim një rrezik për shoqërinë. Rreziku qëndron në shndërrimin e pushtetit në shtet!
Situata ekonomike e vendit nuk duket aspak e favorshme, madje dhe prognozat janë të zymta. Në këto kushte, shqiptarët gjenden në vështirësi të madhe për jetën. Ndërkohë veprimet e qeverisë për “investimet strategjike” apo për shlyerje detyrimesh të bizneseve, apo për zbukurime qytetesh e fasadash nuk janë aspak inkurajuese për xhepat tanë. Në këto kushte, rreziku që shqiptarët e varfër të varfërohen edhe më shumë dhe ata pak të pasur të pasurohen edhe më shumë, është real. Kompanitë fantazma që po gllabërojnë miliona, duket se janë të fuqishme në treg.
Administrata publike me gjendjen ku është e ka përkeqësuar marrëdhënien e qytetarit me shtetin. Çdo ditë, me dhjetëra qytetarë ankohen për faturimet e padrejta të energjisë apo ujit dhe marrin si përgjigje sjelljen arrogante të punonjësve të këtyre institucioneve. Çdo ditë ka qytetarë që ankohen për punonjësit e hipotekave apo të zyrave të administratës publike qendrore. Arroganca e lidhur me paaftësinë profesionale e ka bërë qytetarin të tërhequr dhe mosbesues ndaj së ardhmes. Sikundër e kam thënë edhe herë të tjera, punonjësit e administratës publike janë të përkushtuar ndaj eprorit dhe jo ndaj qytetarit. Por kur edhe eprori është i përkushtuar ndaj “eprorit” të tij, krijimi i një pushteti autoritar është shumë i afërt. Paaftësia e kësaj administrate duket që në shkresat zyrtare që shpesh bëhen objekt barsoletash për nivelin e shkrimit dhe argumentimit, duket në nxjerrjen e akteve që nuk arrijnë të zbatohen, sepse nxirren akte të tjera që vijnë në kundërshtim me njëri-tjetrin.
Nuk po ndalem më tej në ushtrimin e pabarazisë dhe në pandëshkueshmërinë e zyrtarëve apo politikanëve të lartë.
Fushata zgjedhore ka varur në shtylla me miliona euro të shndërruar në flamuj e banderola. Në kohën kur kriza e ka gjunjëzuar shqiptarin e ndershëm, miliona shpenzohen për fushatë e presion “fuqie” politike. Nuk di nëse do japin llogari partitë se ku i kanë gjetur burimet e financimit. Vetëm në rrugën Tiranë- Elbasan nuk gjen shtyllë ku të mos jenë varur nga tre flamuj të LSI-së. Por kjo është e dukshme në të gjithë vendin.
Ceka shumë pak probleme sepse do të duheshin shumë faqe gazete për analizë të hollësishme, por ama e gjithë situata kërkon një opozitë të fortë politike, sepse ndryshe rreziku do të jetë te dera. Dikush mund të thotë se nëse është kështu, populli do dijë kë të votojë. Unë i trembem bojkotit, sepse në kushtet që jemi, mungesa e besimit është shumë e madhe. Por edhe sikur të jetë ndryshe, sërish orientimin politik e jep opozita politike, e cila duhet të jetë e besueshme. Mbase ka ardhur koha që grupime e reja politike të shfaqen në skenën tonë politike për t’i bërë opozitë si Rilindjes, ashtu edhe opozitës aktuale shqiptare.
Gazeta ‘Shqip’
Top Channel