Ulpiana Lama – Të dashura kandidate,

Kur në vitin 2006 punoja për qeverinë e Kosovës, në një ambient thellësisht mashkullor, një gazetare më pyeti se si është të jesh femër në politikë. Pranoj, sado e matur në përgjigje, se thellë-thellë pyetja më shkaktoi bezdi. Mendoja (dhe ende mendoj) se në vendin e punës jemi së pari profesionistë, e më pas gra apo burra. Po ashtu, besoja se kishte përfunduar beteja e feminizmit. Tërësisht e gabuar. Në vijim kuptova se të qenët femër apo mashkull ndikon mënyrën se si na perceptojnë e rrjedhimisht shumë aspekte të tjera që nga negocimi, promovimi në karrierë dhe shpërblimi në pagë, në sektorin publik apo privat qoftë.

Sot, ndërsa zhvillohet gara për pushtetin lokal, më shumë se çdo herë tjetër shoh në portretizimin tuaj, kandidateve femra, – si nga politika, ashtu edhe nga një pjesë e medias, – ngjyra të forta diskriminimi gjinor.

Kur keni profil multidisiplinor, do t’ju akuzojnë për mungesë fokusi. Statistikisht amerikani mesatar ndërron 8-11 vende pune mes moshës 18-46 vjeç; trend që ka përfshirë Europën po ashtu, pas krizës së 2007-2008-s. Nga ana tjetër është një besim tashmë i bazuar se eksplorimi i përvojave të ndryshme është i nevojshëm në përgatitjen e një drejtuesi. Çfarë do konsiderohej përparësi në rastin e një kandidati mashkull, shihet si dobësi në rastin e një kandidateje femër. Ky standard i dyfishtë ka dominuar diskursin publik, në shumë e shumë episode që mund t’u kujtohen lexuesve.

Mos u shkurajoni! Përfaqësimi në zgjedhjet lokale të 2011-s ishte një dëshpërim kolosal; ju/ne kishim përfaqësim gjinor që mezi kapte 3 për qindëshin. Sot, bëhet fjalë për katër herë më shumë. Ngadalë, por sigurt duhet arritur te 50-50.

E vërteta është se një grua e suksesshme, pëlqehet më pak. Asgjë nuk ka ndryshuar nga shkolla; zgjuarsia dhe suksesi nuk të çojnë drejt popullaritetit në asnjë moshë. Njëjtë si në gjimnaz, më e mira e klasës nuk gëzonte pëlqimin, mirëpo sillte besueshmërinë. Përcaktonte jo vetëm standarde më të larta, por edhe siguronte respekt për të gjitha ne. Më kujtohet më e mira e klasës… sot ajo është një mjeke e shkëlqyer por, fatkeqësisht, pavarësisht talentit e përkushtimit, ende jo në pozitë drejtuese.

Imagjinoni tani kur ish-nxënësja shembullore qëllon edhe e bukur. Si në rastin e një kandidateje të spikatur, për të cilën komentet variojnë nga seksiste dashamirëse (kënaqësi që një zonjë si ti e zbukuron politikën), në seksiste (nuk ke ndonjë vlerë përveç të qenët e bukur), deri dhe mizogjine (arsyeja e ngjitjes kaq lart duhet gjetur në manovrimin e këmbëve).

Në një monitorim të lajmeve të publikuara për gratë kandidate, vërej lehtësisht doza abuzuese seksizmi dhe mizogjinie, ekskluzivisht në redaksitë e dominuara nga meshkuj. Ndaj ky shkrim nuk është vetëm për gratë politikane, është për gratë drejtuese në përgjithësi. Shpeshherë, gratë e suksesshme gjejnë kundërvënien më therëse nga bashkëshortet e kolegëve. Më shumë bashkëshorte të suksesshme, më pak agresivitet. Më shumë kryeredaktore, drejtore e botuese, më pak seksizëm. Politika nuk mund të jetë më e mirë nga ç’janë media, shoqëria civile apo sektori privat. As politika, as ju, gratë politikane, nuk jeni alienë që vini nga një planet më i zhvilluar, as kolonizatorë që do të na ’emanciponi’ me dijen tuaj.

Zonja dhe zonjusha, vazhdoni përpara dhe mjeshtëroni aftësinë e përballjes me kritikat. Ju e shihni se mandat pas mandati, fjalori është gdhendur. Pjesërisht kjo për shkak të spostimit të dinozaurëve politikë, pjesërisht për shkak të pjekurimit të audiencës. Me një prani shumë më të fuqishme tuajën, rregullat e lojës do ndryshojnë. Më shumë gra politikane, më shumë drejtuese, do të çojnë drejt një trajtimi më të ndershëm për të gjithë, përfshirë gratë.

Dua të veçoj dy bashki: Shkodra; e sigurt që për të parën herë do të drejtohet nga një grua, si dhe Durrësi. Grida Duma nuk është vetëm kandidatja femër për Bashkinë e Durrësit. Ajo është  kandidatja nga radhët e PD-së që, në rast fitoreje, do të konfirmohej si gruaja më e rëndësishme në PD. Deri tani, vërej se znj. Duma ka kapur thelbin, duke kombinuar dashamirësinë me këmbënguljen në fushatëbërje.

Dikush apo disa, vunë në dukje se ju, kandidatet femra, nuk po na befasoni (unë gjithashtu kam vërejtje e sugjerime, por këto do t’ua them privatisht). Konstatimi i tillë vjen ose nga naivë të politikës, ose nga individë që në mënyrë të qëllimshme përpiqen të kalcifikojnë mite.

Fushata elektorale sigurisht që kërkon vizion – në nivelin strategjik. Por po ashtu kërkon mesazhe të qarta, të thjeshta, të sakta, të përsëritura. Mëtimi, do duhej ngritur mbase për kandidate të pavarura. Por për sa kohë që bëhet fjalë për të kandiduara nga partitë politike, zonjat duhen inkurajuar për integritet, pa u kërkuar të minojnë doktrinën e bashke?punimit kolektiv brenda-partiak.

Një fjale? e fundit shkon për votueset. Për shumë prej nesh emancipimi dhe feminizmi nuk erdhën si zgjedhje, por si zgjidhje; dikur, gjyshet, nënat tona, kuptuan se askush nuk mund të kujdesej për ato/ne, më mirë se ne për veten.

Bashkërisht e lamë Hirushen aty ku e ka vendin, në përralla. Ndonjëherë, fshehtas, kur barra e mbijetesës bëhet tepër e rëndë për t’u përballuar, e kërkojmë ende princin në ëndrrat tona, mirëpo e dëbuam si realitet nga jetët tona. Ai nuk ka vend aty. Është një fiksion, një shpikje. Princi i sotëm nuk është ai që të sjell këpucën magjike, lugën e florinjtë dhe mbretërinë në tepsi, por ai që bashkëndien dhe ndan emocionalisht, financiarisht e fizikisht ngarkesën në punë dhe familje. Nga ana tjetër, potenciali ynë ndrydhej në heshtje brenda katër mureve. Shtëpia u rrinte ngushtë shumë prej grave e vajzave. Në 100 vitet e fundit progresi është i pakrahasueshëm, jo linear, por eksponencial. E ndërsa jemi mirënjohëse, duhet të mbetemi të ‘uritura’, për më shumë barazi e drejtësi. Ende sot që flasim, gratë paguhen rreth 20% më pak se burrat në Shqipëri. Ngacmimet seksuale në punë janë makthi i grave dhe jo i burrave që punojnë (këta të fundit kanë të tjera halle, që nuk janë subjekt i këtij shkrimi). Eksodi i grave me arsim të lartë nga tregu i punës, pas lindjes së fëmijëve, thellon hendekun e femrave në pozicione drejtuese. Mos kërkoni tek ato qenien e përsosur, as supergruan. Ama zgjedhja e tyre do ta bëjë më të drejtë politikën.

Jepuni mbështetjen tuaj! Mos i gjykoni, votojini. Personalisht jam e bindur se është akti më i dobishëm për veten; vajzat tuaja me siguri do t’ju falënderojnë dikur.

Sinqerisht, unë, njëra prej jush.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA