Përmirësohet cilësia e ujit në plazhe. Velipoja, Ksamili, Qeparoi e Shëngjini, më të pastër

09/06/2015 00:00

Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka kryer monitorimin e ujërave të bregdetit shqiptar në 12 plazhe të vendit. Rezultatet mikrobiologjike të mostrave të ujit, të marra në 21 stacione të ndryshme, kanë treguar se Velipoja, Ksamili, Qeparoi, por edhe Shëngjini, janë plazhet me ujërat më të pastra.

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, tha se turistët shqiptarë dhe të huaj mund të pushojnë pranë plazheve, por edhe liqeneve, që sivjet janë më të pastra.

“Në vitin 2014 rezultonin 60% cilësi shumë e mirë dhe e mirë, ndërsa tashmë në vitin 2015 rezultojnë përafërsisht 80% cilësi shumë e mirë. Kjo ka ardhur edhe falë investimeve të bëra, impiantit të përpunimit të ujërave të zeza në qytetin e Durrësit, gjithashtu disiplinimi i kanaleve kryesorë në zonën e Golemit të Kavajës, nga përroi i Agait deri në qytetin e Durrësit”, tha ministri Koka.

Kreu i Agjencisë së Mjedisit, Julian Beqiri, tha se përmirësime ka pasur edhe në disa pika të plazheve të Durrësit dhe Kavajës.

“Velipoja është 100%. Kemi një përmirësim në Durrës nga 52% në 76%, por fatkeqësisht një përkeqësim në Gjirin e Lalzit, nga 100% në 67%. Pjesa e përqindjes duhet kuptuar se është një marzh edhe mbi numrin e stacioneve të monitorimit. Por në Durrës është edhe përmirësimi më i madh, sepse nëse diskutojmë për 78 pika monitorimi, Durrësi përfshin 21 pika të tilla. Kjo vjen edhe për shkak të fluksit të turistëve që ka ai plazh”, u shpreh Beqiri.

Analizat e mostrave të ujit të bregdetit kanë treguar se, në krahasim me një vit më parë, gjendja është përmirësuar në disa pika të rëndësishme të plazhit të Durrësit dhe të Kavajës. Problem vijon të mbeten zonat të shkolla e Marinës në Vlorë dhe te plazhi i ri në Sarandë.

Top Channel