Përveç pretendimeve për një rol dominues në Azi, kohët e fundit Kina po shfaq hapur ambicien e saj për të pasur një sferë ndikimi edhe më të gjerë.
Hungaria është kthyer në vendin e parë europian, i cili ka nënshkruar marrëveshje me qeverinë e Pekinit për ndërtimin e rrugës së ashtuquajtur “Silky Road”. Ky projekt kërkon që të zhvillojë tregtinë euro-aziatike .
Presidenti hungarez, shpreson që nisma infrastrukturore të mos jetë e fundit ndërmjet Pekinit dhe Budapestit, pasi ai kërkon për një bashkëpunim edhe më afatgjatë.
Sipas një deklarate në faqen zyrtare të Ministrisë së jashtme kineze, kjo ndërmarrje është pjesë e projektit “One belt, one Road”, i cili i ka dyert e hapura edhe për shtete të tjerë që kërkojnë të jenë pjesë e një bashkëpunimi të tillë fitimprurës.
Nga ana tjetër Kina, po kontribuon me një fond prej miliona eurosh për ndërtimin e një hekurudhe që lidh Hungarinë me Serbinë, por ende nuk dihet motivi përse. Ndërkaq zyrtarët e Pekinit ftojnë më shumë vende europiane që t’i kthejnë sytë nga Lindja, për të forcuar marrëdhëniet me vendet aziatike, pasi sipas ministrit të Jashtëm Wang-Yi, ky është momenti i duhur për të tilla investime që i japin dorë procesit të globalizmit.
Projektet që kërkon të vë në zbatim qeveria e Pekinit përfshijnë investime në rrjetin e hekurudhave, autostradave, tubacioneve të naftës dhe gazit, rrjeteve të energjisë, apo njëkohësisht edhe shtimin e subjekteve të bizneseve kineze në Europë.
Analistët shprehen se përpos interesave ekonomike, vendi aziatik po kërkon të ketë një impakt më të madh strategjik në botë, duke lënë në hije kështu Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Top Channel