Foto/ Gropa ‘përpin’ tre anije në Angli, shpëtojnë mrekullisht dhjetëra persona
Rusia ka refuzuar të nënshkruajë raportin vjetor të organizmit mbikëqyrës të aktivitetit bërthamor të Kombeve të Bashkuara, IAEA, për shkak se dokumenti në fjalë e listonte një reaktor bërthamor pranë Sevastopolit të Krimesë, sikur të ishte pjesë e Ukrainës.
Lajmi është bërë i ditur nga dy diplomatë të lartë të pranishëm në takim, për agjencinë e lajmeve “Reuters” këtë të hënë.
Rusia e aneksoi Krimenë vitin e kaluar, por shumica e vendeve e konsiderojnë atë ende pjesë të Ukrainës. Ky zhvillim i fundit nga Rusia nuk pritet të bllokojë raportin, por ngre pyetje tepër serioze në lidhje me juridiksionin në rajonin e kontestueshëm.
Ukraina ka protestuar kundër kësaj lëvizjeje të Rusisë në takimin e bordit të guvernatorëve të IAEA-së (Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore), që mblidhet çdo tremujor, bëri të ditur një diplomat perëndimor.
Të paktën 8 vende bënë të ditur se nuk do të pranonin refuzimin e Rusisë, duke cituar një rezolutë të Kombeve të Bashkuara në vitin 2014, e cila konfirmon integritetin territorial të Ukrainës, sipas një tjetër diplomati.
Ky i fundit shtoi se Rusia kërkoi që qëndrimi i saj të reflektohej edhe në të dhënat zyrtare të debatit, kur raporti i përvitshëm i IAEA-së të procedohej më tej në Kombet e Bashkuara.
Në Kiev, agjencia shtetërore “EnergoAtom”, e cila përkujdeset për impiantet e energjisë bërthamore, bëri të ditur se kishte njoftuar IAEA-në për pamundësi të përmbushjes së përgjegjësive ndaj reaktorëve në Krime, sepse nuk ka më akses në to që prej aneksimit të gadishullit nga Rusia.
Ministri rus i Energjisë, ashtu sikurse dhe Koorporata shtetërore për Energjinë Bërthamore “Rosatom”, refuzuan të komentonin mbi këtë zhvillim.
Top Channel