Gratë e 21 Qershorit, kandidatet e Pogradecit dhe Himarës flasin në “Shqip”

08/06/2015 00:00

Diana Mile kandidon për Aleancën për Shqipërinë Europiane në Bashkine e re të Pogradecit, ndërsa Lefteri Prifti kandidon nën siglën e Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet në Bashkinë e Himarës.

Dy kandidatet ishin të ftuarat e Rudina Xhungës në emisionin “Shqip” të kësaj të hëne, në vazhdën e takimeve ku në qendër të vëmendjes janë kandidatet femra nga të dyja kahet e politikës për zgjedhjet e 21 Qershorit.

Diana Mile, arkitektja që kandidon për të majtën në Bashkinë e Pogradecit tha se zgjedhja e saj për të kandiduar është bërë për vlerat dhe profesionalizimit që mbart, ndërsa më pas u ndal tek projektet më të mëdha për qytetin e saj.

“Mendoj që zgjedhja ime ka pasur të bëjë me vlerat që unë mbart, edhe si individ, për profesionalizimin dhe punën që kam bërë për Pogradecin në këto 12 vjet. Ka shumë njerëz të tjerë në Pogradec dhe projektet nuk janë vetëm të miat dhe personale. Kam shumë ide të të rinjve, por edhe të personave të tjera dhe i kam përfshirë në program. Janë dy pjesë që mbyllin vijën e Liqenit. Përveç rrugës së Linit, qeveria ka miratuar mënyrën dhe ka një projekt nga Lini në Pogradec për sistemimin e hapësirës, ndërsa mes Vilave Qeveritare dhe Drilonit, ka një plan urban që është një punë e imja, një plan ku ndërtesat do të jenë dy kate”, tha Mile.

Kandidatja e opozitës në Himarë, Lefteri Prifti shpalosi një pjesë të programit të saj, ku tha se veç punëve publike, nën drejtimin e saj institucioni do të hapë procese gjyqësore për çështjen e pronave.

“Dua të lë shenja në detyrën time. Kam biseduar me avokatë për pronat e himariotëve dhe do të hapim procese gjyqësore, gjithmonë me vulën e institucionit. Do t’u drejtohem gjykatave për rikthimin e pronarëve. Të rikthehen pronat aty ku ka mundësi”, tha Prifti.

Ajo deklaroi se prioritet do të ketë ndërtimi i rrugës që lidh Himarën me Kuçin dhe zonat e tjera të bashkisë tashmë të zgjeruar, ndërsa premtoi bashkëpunimin me qeverinë dhe ndërtimin e një stafi model, profesionist dhe në shërbim të qytetarëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA