Rama: Në 21 Qershor të ndryshojmë Dibrën

07/06/2015 00:00

Në Peshkopi, kryeministri Edi Rama theksoi se Rruga e Arbërit nuk do të jetë më një projekt i premtuar bosh, por një investim gjigand që po bëhet realitet.

“Sikur të mos kishte rëndësi se për kë voton, sot, Rruga e Arbërit do të ishte ende një fantazëm fushatash elektorale dhe jo një projekt. Tanimë, i financuar, i votuar nga Parlamenti dhe gati për të filluar nga puna, në mënyrë që të bëhet e mundur lidhja e shumëëndërruar e Dibrës me Tiranën dhe gjithë Shqipërinë”, u shpreh Rama.

Sikur vota të mos kishte rëndësi, theksoi zoti Rama, sot nuk do të kishte filluar puna për lidhjen e denjë infrastrukturore të Dibrës, Peshkopisë me Lurën, apo nuk do të ishin rindërtuar nga e para 9 shkolla në këtë zonë. E kështu, sipas kryeministrit, do të vijojnë investimet për të rilindur një zonë që, sipas tij, është lënë në harresë të plotë për mëse 25 vite.

“Fushata e tyre flet për të njëjtën përrallë, për atë përrallë që shqiptarët e ndëshkuan me votë në qershorin e vitit 2013. Vota e Dibrës për ASHE-në do të thotë që në 4 vitet e ardhshme të bëhet për Dibrën ajo që nuk është bërë në 25 vite bashkë”, tha Rama.

Top Channel