Historia e Shqipërisë, pjesë e kujtesës kolektive europiane

05/06/2015 00:00

Monika Shoshori Stafa – Vitet e fundit kanë provuar se shumica e diskutimeve dhe debateve mbi të kaluarën e vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore është përqendruar në problemin e ekzistencës së kujtesës dhe se si shërbejnë faqet e saj në historinë e një kombi.

Kujtesa është dhe me siguri, do të përbëjë edhe për shumë kohë një faktor thelbësor në formësimin e “politikës historike” të secilit komb dhe shtet, i vetëdijshëm për të kaluarën e tij. I pakontestueshëm është fakti se programet e edukimit historik të shoqërive dhe më e rëndësishmja, proceset e përpunimit të kujtesës kolektive në raport me formësimin e së ardhmes kolektive janë zhvilluar mbi parimet bazë të kujtesës historike. Europa e Bashkuar gjithnjë e më shumë po arrin të shkojë drejt rrënjëve të saj historike, ndërsa është në kërkim të një kordoni që lidh kulturën e saj të përbashkët të memories kolektive. Problemi i marrëdhënieve me të kaluarën, i pranishëm gjithmonë në debatet historike, është një dëshmi e pastër për këtë.

Ndërsa Europa, bëhet bashkë në mënyrën thuajse shembullore të saj në aspekte ekonomike dhe politike, përvojat e deritanishme rezultojnë se përballë sjelljes me të kaluarën apo dhe emocioneve që e shoqërojnë atë, tregojnë se sa i vështirë bëhet zhvillimi i kulturës së përbashkët të kujtesës, e nisur nga kjo sa i thellë është ende hendeku që ndan kontinentin tonë. Përvojat e ndryshme nga e kaluara, mungesa e mundësive për një dialog të hapur në lidhje me të, ende mbeten faktorë që pengojnë në mënyrë të konsiderueshme një proces të tillë elaborimi dhe trashëgimie historike. Nivele të ndryshme të vetëdijes kombëtare dhe jo gjithmonë të kuptueshme për partnerët e tjerë bëjnë që përvojat e shoqërive dhe shteteve të veçanta europiane të shkaktojnë produkte të komplikuara debati historik. Nevoja për të krijuar një bazë të përbashkët për dialog europian mbi të kaluarën kthehet sakaq në një sfidë për njerëzit të vetëdijshëm mbi këtë fakt. “Europa është një gjendje e subkoshiencës, e formuar dhe e ushqyer nga trashëgimia e saj shpirtërore, filozofike, artistike dhe shkencore, dhe e udhëhequr kryesisht nga mësimet e historisë. Europa është një ‘state of mind’ që shkon përtej një grupimi shtetesh të bashkuara me një treg të brendshëm brenda kontureve gjeografike të një kontinenti. Europa është një përgjegjësi morale dhe politike, e cila duhet të kryhet, jo vetëm nga institucionet dhe klasat politike, por nga çdo qytetar i saj. Europa është një ‘state of mind’, padronë të së cilës mbeten qytetarët e saj në të gjithë kontinentin. Ata janë studentët, studiuesit, kërkuesit shkencorë, artistët, profesionistët dhe politikanët të cilët jetojnë, punojnë, studiojnë, mendojnë dhe udhëtojnë përtej kufijve kombëtarë, me qëllimin e vetëm të zgjerojnë njohuritë, të ndajnë dhe të këmbejnë krijimtaritë dhe talentet e tyre drejt mundësive më të mira”. Por polemikat që ekzistojnë lidhur me këto mesazhe të forta europeistësh, tregojnë se përkundër përpjekjeve të politikanëve dhe studiuesve, mbi të kaluarën tonë të përbashkët, kujtimet e saj më së shumti manipulohen për përfitime politike duke rrezikuar ndarjen, por dhe prishjen e marrëdhënieve mes dy pjesëve të një Europe të tërë. Kështu, disa qeveri gëzueshëm të frymëzuara nga një e kaluar historike e një pjese të Europës Qendrore janë në përpjekje për të kërkuar një formë të re dialogu në lidhje me ngjarjet tragjike të shekullit të 20-të. Dhe hapi i parë në këtë sipërmarrje ishte krijimi i një rrjeti ndërkombëtar të “tryezave të rrumbullakëta të kujtesës kolektive si trashëgimi e patjetërsueshme”. Pas disa vite diskutimesh dhe konsultimesh, negociatat zyrtare nisën në vitin 2005 mes ministrave të kulturës dhe ekspertëve nga Austria, Republika Çeke, Gjermania, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia. Në takimet e para u ra dakord që organizata e krijuar rishtazi të përqendrohej jo vetëm në historinë e shpërnguljeve të detyruara, por edhe në ngjarje të tjera të shekullit të 20-të si ideologjitë dhe sistemet totalitare që pushtuan kontinentin, luftërat dhe krimet, të cilat shkaktuan tragjeditë më mizore që pllakosën Europën gjatë shekullit të fundit. Dhe pas kësaj, ministrat e Kulturës së këtyre vendeve dhe përfaqësuesit e tyre ekspertë të fushës nënshkruan një deklaratë ku firmosën krijimin e Rrjetit Europian të Kujtesës dhe Solidaritetit, zyra e përhershme e së cilës ndodhet në Varshavë. Rrjeti ka si qëllim hulumtimin dhe dokumentimin e historisë së luftërave të shekullit të 20-të, diktaturat totalitare, pushtimet dhe shpërnguljet masive të detyruara, po aq sa dhe persekutimet nacionaliste, raciste dhe ato të motivuara ideologjikisht. Nënshkrues të kësaj deklarate ishin Gjermania, Hungaria, Sllovakia dhe Polonia. Përfaqësuesit e këtyre katër vendeve, si dhe të Republikës Çeke, Austrisë dhe duke nisur që nga viti 2013 edhe Letonia, u ulën në Asambletë drejtuese të këtij Rrjeti Europian. Vetëm vitin që shkoi anëtare e këtij Rrjeti u bë dhe Rumania, pikërisht në maj të 2014-s atëherë kur filloi procesi i lobimit të anëtarësimit të Shqipërisë në të. Ndaj gjatë ditëve të fundit të majit të këtij viti kanë përfunduar përpjekjet burokratike të votës që duhet të japë çdo shtet për një anëtarësim të ri dhe në 17 qershor Shqipëria pret të nënshkruajë zyrtarisht anëtarësimin jo pa vështirësi në këtë rrjet të rëndësishëm europian të trashëgimisë së kujtesës historike kolektive si një aset i domosdoshëm në identitetin e një kombi, por dhe qëllimit që ajo ka në formësimin e politikbërjes në të ardhmen.

Vlera më e rëndësishme në Europë është trashëgimia e saj kulturore. Kjo pasuri përbëhet nga tre elemente që i përkasin kohës si nocion praktik: e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja. Ne kemi nevojë me patjetër të marrin në konsideratë këto tri elemente së bashku, por mes tyre duhet patjetër të nxisim brenda një konvergjence të tjera elemente të trashëguar a jo si vlerat tona historike, simbolet, kalendarët, mesazhet, ndërtimi si proces historik, por dhe rindërtimi nëse lind nevoja, prezenca apo harresa, shpresa dhe padurimi, respekti nga njëra anë pa lënë mënjanë debatin apo dhe dialogun, besimin dhe optimizmin për një të ardhme të përbashkët. Lufta ndaj stereotipave dhe nxitjen e empatisë, dashurinë për tjetrin. Ne kemi kaq shumë nevojë të lëvizim shpejt. Deri më tani kemi humbur jo pak kohë.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA