Për të komentuar aktualitetin politik në vend, në studion e lajmeve të Top Channel, ka qenë si çdo të premte i ftuar analisti Skënder Minxhozi, kryeredaktor i revistës “Java”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të folësit Ilir Paço, Minxhozi ka komentuar kryesisht fushatën elektorale, me theks të veçantë atë të kandidatëve të Tiranës, si dhe dënimin e deputetëve të PD-së, Ristani dhe Paloka për shpifje.
Ilir Paço: Zoti Minxhozi, si e shihni zhvillimin e fushatës. Flasim për fushatën më të rëndësishme, atë në Tiranë, ku duket të ketë vetëm dy kandidatë…
Skënder Minxhozi: Kandidatët janë më shumë, por ata të partive më të mëdha janë dy kryesorët. Unë besoj se Erjon Veliaj ka një rritje dita ditës, po i afrohet shifrës së koalicionit. Ndërsa Halim Kosova po fillon të ndjejë vetminë në një fushate, pa mbështetjen e partive kryesore aleate, me Bashën që bën fushatë në tërë vendin, por që për shkak të mandatit problematik në Tiranë nuk shfaqet përkrah tij. Pra, Kosova ngjan një profil i zgjedhur taktikisht nga këshilltarët e tij për t’u shfaqur si një njeri apolitik, por që po e ndjen mungesën e panelit opozitar. Pastaj ka edhe kandidatë të pavarur, ku spikat Gjergj Bojaxhi, që po bën lojën e vetë dhe jo atë të paneleve.
Ilir Paço: Sot patëm edhe vendimin e Gjykatës së Lartë për dënimin e dy deputetëve të PD. Kryeministri Rama hodhi dhe idenë e kriminalizimit të shpifjes…
Skënder Minxhozi: Kjo është një ide e çuditshme. Është një fitore e vogël politike e kryeministrit ndaj kundërshtarëve të tij në Parlament, aty ku zhvillohet fushata e vërtetë elektorale. Por duhet të kujtojmë se në vitin 2012 ka qenë pikërisht partia e zotit Rama dhe PD, që me trysninë e ndërkombëtarëve dekriminalizuan shpifjen, duke shfuqizuar dy nene të Kodit Penal dhe duke e kthyer “shpifjen” në një krim, ose në dukuri të karakterit administrativ, jo me dënime me burg, por thjesht me gjobë. Ky është një standard emancipimi dhe nëse do të kthenim dënimin e shpifjes me burg… Gjithsesi, kjo deklaratë e kryeministrit ka brenda edhe emocionet që ai mban në sulmet ndaj të tjerëve dhe në ato që bëhen ndaj tij. Rama sot, siç e thashë, ka arritur një fitore jo të vogël, e cila nuk do të ishte më e madhe nëse Ristani dhe Paloka do të ishin dënuar në mënyrë hipotetike me burg.
Top Channel