Vajza 14-vjeçare e Kim Jong-un në krah të të atit, shtohen spekulimet se do të trashëgojë pushtetin Policia italiane ka arrestuar 44 persona, shumë prej të cilëve politikanë, të gjithë të dyshuar për përfshirje apo lidhje me udhëheqësin e një grupi kriminal, që kishte manipuluar kontratat publike në Bashkinë e Romës, si dhe në rajonin përreth.
Oficerët e policisë kanë arrestuar politikanë nga të dyja krahet politike, e majta dhe e djathta, të cilët janë marrë në pyetje nga hetuesit, por mes tyre spikat Luca Gramazio, këshilltar rajonal i partisë “Forza Italia” të ish-kryeministrit Silvio Berlusconi, që akuzohet si ndërmjetës mes biznesmenëve të korruptuar dhe grupit mafioz.
Hetimi, i cili është udhëhequr prej policisë italiane Antimafia, është fokusuar gjithashtu edhe tek 21 të dyshuar të tjerë, bizneset apo zyrat e të cilëve janë bastisur nga oficerët e policisë. Arrestimet e kësaj të enjteje janë faza e dytë e hetimit, i cili më herët, në dhjetor të 2014-s, pati 37 të arrestuar të tjerë, mes të cilëve udhëheqësi mafioz, Massimo Carminati, si dhe një ish-kryebashkiak i Romës.
Grupi kriminal thuhet se është përfshirë në mënyrë të paligjshme në riciklimin dhe asgjësimin e mbeturinave në Romë, ashtu si dhe në mirëmbajtjen e parqeve publike dhe korsive të rrugëve për biçikleta, por edhe në rastet e reagimeve në emergjencat e fatkeqësive natyrore, zakonisht nga moti i keq.
Policia beson se, përveç kontratave të manipuluara të dhëna nga autoritetet bashkiake, rrjeti në fjalë komplotonte edhe në heqjen e parave “cash” nga qendrat e ngritura për të strehuar azilkërkuesit apo emigrantët e sapombërritur.
Grupi mafioz, “nëpërmjet praktikave korruptive dhe marrëveshjeve të fshehta, i siguronte vetvetes kontrata të shumta dhe financime nga rajoni i Lacios, Bashkia e Romës dhe bizneset e lidhura me këto institucione”, bëri të ditur policia përmes një deklarate.
Kryebashkiaku i Romës, Ignazio Marino, mirëpriti arrestimet, teksa tha se “politika në të kaluarën ka dhënë shembuj të këqinj, ndërsa sot, ne kemi njerëz të ndershëm, të cilët duan të kthejnë cilësinë e jetës dhe të gjitha të drejtat e dinjitetin që kryeqyteti meriton”.
Top Channel