Gara për Bashkinë e Elbasanit, Ardian Turku në “Top Show”

04/06/2015 00:00

Edhe kjo e mërkurë në “Top Show” iu dedikua debateve të kandidatëve për bashkitë më kryesore në vend. Javën e kaluar ishin të ftuar kandidatët për Bashkinë e Fierit, Alibeaj dhe Subashi, ndërsa këtë mbrëmje debati ishte për Bashkinë e Elbasanit.

Përballë njëri-tjetrit në garën për këtë bashki do të jenë Qazim Sejdini, kandidat i Aleancës për Shqipërinë Europiane, kryetar aktual i bashkisë dhe Ardian Turku, kandidat i Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet.

Pavarësisht se ftesa për të qenë të pranishëm në emision u shkoi të dy kandidatëve, zoti Sejdini nuk pranoi të ishte përballë zotit Turku. Madje, ai dërgoi edhe një letër ku bënte të ditura arsyet për të mos qenë prezent në studio. Në letër, Sejdini e konsideron të papranueshme përballjen në studio me zotin Turku, duke qenë se ky i fundit ka ngritur shpifje me akuza të paqena kundër tij dhe familjes Sejdini.

“Unë e konsideroj të papranueshme nga ana etike që të ulem në të njëjtën studio me njeriun, i cili nuk është distancuar nga shpifjet për akuza të paqena, jo vetëm ndaj meje si kandidat, por edhe ndaj familjes dhe bashkëpunëtorëve të mi. Kushti ynë i parë për të qenë në debate të tilla së bashku është distancimi i tij nga këto akuza të pavërteta. Ky debat është duke u bërë në tërë Elbasanin e ri. Votuesit e njohin rivalin shumë mirë për shkak të posteve që ai ka mbajtur. Unë ndaj bindjen se qytetarët nuk kanë nevojë për një shfaqje të ngjashme edhe sonte në emisionin tuaj”, thuhej ndër të tjera në letrën e zotit Sejdini.

Ndërkohë, zoti Turku u shpreh se ka mbetur i befasuar nga kjo letër e kryetarit aktual të Bashkisë së Elbasanit.

“Janë bërë dy shkrime të shkurtra në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, por dhe në rrejetet sociale. Unë nuk jam redaktor i kësaj gazete dhe nuk i marr përsipër ato. Kurrë ndonjëherë nuk kam synuar të denigroj kundërshtarin politik”, u shpreh zoti Turku.

Ai shtoi se mes gjithë atyre akuzave mund të ketë dhe të vërteta: “Lidhur me letrën, unë nuk jam avokati mbrojtës i familjes Sejdini. Por për familjen time deri tani nuk është shkruar. Ndoshta mes gjithë atyre gjërave mund të ketë edhe të vërtetë. Unë kam nevojë të jem përballë zotit Sejdini. Gjithashtu, edhe qytetarët kanë nevojë të na dëgjojnë”.

Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Elbasanit tha po ashtu se zoti Sejdini nuk ka pranuar të bëjë debat edhe në zgjedhjet e mëparshme: “Ai nuk bën dot debat dhe të mos fshihet prapa justifikimeve”.

Ndërkohë, në pjesën e parë të emisionit, zoti Turku ka folur në lidhje me çështjet kryesore që shqetësojnë këtë qytet.

Demokracia lokale

Ardian Turku tha se kryetari aktual ka nën kontroll Këshillin Bashkiak, por edhe mediat e këtij qyteti.

“Në Bashkinë e Elbasanit ka një terren jo të favorshëm. Mungesën e demokracisë lokale e kam parë në Këshillin Bashkiak, nën tutelën e zotit Sejdini. Së dyti, mediat e këtij qyteti, por edhe korrespondentët e mediave kombëtare, janë nën presionin e kryetarit aktual të bashkisë. Deri tani nuk ka pasur ngritje të problematikave që shqetësojnë qytetin. Në Elbasan ekziston frika për të folur”, shprehet Turku.

Ai shtoi se në Bashkinë e Elbasanit mungon transparenca. “Pjesëmarrja e qytetarëve ka bërë hapa prapa, ku shumë vendime nga bashkia merren pa pjesëmarrjen e tyre. Dua të rihap bashkinë ndaj grupeve të interesit dhe kjo është e domosdoshme për të përcaktuar drejtimet kryesore të bashkisë së re. Kjo gjë nuk mund të bëhet pa transparencë. Një mozaik i tërë bëhet i mbyllur në Bashkinë e Elbasanit”.

Zhvillimi ekonomik

Në rast se kandidati i PD-së do të jetë fitues i zgjedhjeve të 21 Qershorit, ai shprehet se do të synojë uljen e taksave.

“Papunësia është në nivele të frikshme. Zhvillimin ekonomik e kam parë në disa kolona. Ekonomia po vuan nga taksat e larta. Ulja e taksave dhe tarifave vendore do të jetë politika jonë në drejtimin e bashkisë. Janë disa hapësira në ligjin aktual, ku bashkia mund të kontribuojë në biznesin e vogël, ndërsa një pjesë e tarifave vendore janë të fryra dhe mund të ulen. Tarifat mund të rishikohen në favor të bizneseve dhe familjeve të ndryshme. Kjo është një politikë lehtësuese dhe e përcaktuar me ligj dhe nuk është një premtim bosh. Ndërkohë, do të synohet edhe rritja e investimeve publike”, tha Turku.

Mbështetja e biznesit

Zoti Turku u shpreh se për t’i ardhur në ndihmë biznesit ai do të synojë uljen e taksave në nivel 25 për qind. Gjithashtu, do të hiqen një sërë taksash për familjet nën nevojë.

“Bizneset e reja do të kenë lehtësime. Ndërsa do të synojmë një marrëdhënie sa më miqësore ndaj biznesit. Duhet të ndryshojë klima e raporteve midis institucioneve shtetërore, përfshirë dhe bashkinë, por edhe institucioneve të tjera që varen nga qeveria, ndaj biznesit. Shpesh kjo është një ndër arsyet e ngërçit”, tha Turku, i cili shtoi se do të luftohet edhe informaliteti.

Planifikimi urban, menaxhimi i tokës

Planifikimi urban është cilësuar nga Turku si pika e parë për t’u futur në një zhvillim të qëndrueshëm: “Kur kam qenë në drejtimin e bashkisë, unë kam bërë studimin e qendrës së qytetit. Nga zoti Sejdini kjo qendër është ndryshuar krejtësisht. Edhe plani rregullues, i cili ka qenë i hapur për qytetarët në vitin 2006, por në fund të mandatit nuk arrita ta çoja në KRTRSH. Në 8 vite ai u fut në sirtar nga drejtuesit e bashkisë, ndërsa qyteti sot është zhvilluar në forma kaotike duke ndërtuar pallate shumëkatëshe në mes të lagjeve”.

Sipas zotit Turku, bllokimi i lejeve të ndërtimit ka sjellë një dëm të madh në bashkinë e Elbasanit. “Mungesa e një dokumentacioni solli si pasojë mungesën e lejeve të ndërtimit. Problemi është edhe më i gjerë pasi janë 12 komuna dhe unë e di që ekziston një plan rregullues nga USAID-i për këtë zona. Ngritja e kapaciteteve për një bashkëpunim sa më efektiv me nënkontraktorin e USAID-it për planin rregullues, do të jetë gjëja e parë që do të bëj sapo të filloj nga puna”.

Shërbimet publike, infrastruktura

Kandidati i Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet zotohet se brenda mandatit të tij do të dyfishojë furnizimin me ujë të pijshëm në qytet, por edhe në fshatra, të cilët sipas tij, kanë edhe problematikën më të madhe.

“Shërbimet publike janë në kolonën e tretë që unë kam përcaktuar. Këtu mund të fillojmë me shërbimin me ujë të pijshëm, ndotja, ndriçimi dhe gjelbërimi. Uji i pijshëm nuk është zgjidhur ende, pasi ka zona në qytetet dhe rreth 85% e fshatrave që nuk kanë ujë mjaftueshëm. Nga mirë menaxhimi, në 4 vitet unë do të dyfishoj furnizimin me ujë të pijshëm”.

Ardian Turku tha se ka në plan ndërtimin e një kolektori përgjatë lumit Shkumbin, i cili do të shërbejë për grumbullimin e të gjithë kolektorëve vertikalë, ndërsa shtoi se bashkia nuk ka kapacitete për ndërtimin e një impiante të pastrimit të ujërave të zeza.

Cilësia e ajrit dhe pastrimi

Për sa i përket ndotjes së ambientit, ai tha se është i nevojshëm një bashkëpunim me qeverinë për t’i dhënë kompetenca bashkisë për të kontrolluar ndotësit e mëdhenj.

“Mjedisi është një tjetër problem shumë i madh në qytetin e Elbasanit, por dhe në fshatrat e bashkisë së re ndotja ka pësuar rritje të ndjeshme nga faktorë të ndryshëm. Zona të shumta informale kanë probleme të shumta me ndotjen dhe infrastrukturën. Rikualifikimi urban do të ndikonte në uljen e ndotjes në këtë qytet. Për sa i përket ndotësve të mëdhenj, duhet bashkëpunim me qeverinë qendrore, pasi duhet t’i kalohen kompetenca bashkisë për të pasur forcë vendimmarrëse dhe penalizuese ndaj ndotësve dhe kjo është e nevojshme”, u shpreh Turku.

Përkujdesi social, punësimi

Mbi 2 mijë familje janë larguar nga ndihma ekonomike përgjatë dy viteve të qeverisjes nga ana e socialistëve, tha Turku, i cili shtoi se do të ketë si synim rikthimin e tyre në këtë listë: “Ka shumë familje nën nevojë, por këtu ka edhe familje në varfëri ekstreme. Ndërkohë në qytetin e Elbasanit ka edhe një numër të madh romësh. Për këto grupe do të ketë një përkujdesje të veçantë, që do të përfshihen në planin social të zonës, i cili është pasuruar nga Sejdini. Është krim heqja e 2000 familjeve nga ndihma ekonomike. Ne do të rikthejmë në ndihmën ekonomike, ato familje që janë hequr nga kjo listë”.

Në lidhje me punësimin, Turku, tha se do të synojë shtimin e personave të punësuar në biznese, duke krijuar hapësira për këtë të fundit. Premtimin e rivalit të tij për 10 mijë vende të reja pune, ai e cilësoi si të parealizueshëm.

“Tendenca do të jetë t’i krijojmë hapësira biznesit që të shtojë numrin e personave të punësuar. Investimet e huaja janë një tjetër rrugë shumë e mirë për punësim, por Shqipëria ka pushuar së qenit një vend atraktiv për investime pasi janë rritur taksat. Ndërsa premtimet për 10 mijë vende pune nga Sejdini janë të pamundura, edhe 5 mijë që mund të them unë është e pamundur”.

Arsimi, kultura dhe sporti

Kandidati i PD-së për Bashkinë e Elbasanit tha se do të kryhen restaurime në disa shkolla në fshatra, ku edhe problematika është më e madhe, ndërsa do të ndërtohen edhe dy të reja.

Për sa i përket sportit, ai u zotua se do ta rikthejë ekipin e futbollit të Elbasanit në nivelet më të larta: “Kemi një stadium të ri, por ne nuk kemi futboll. Këtë sezon ekipi doli nga kategoria, ndërsa unë u premtoj tifozëve se do ta rikthej sa më parë Elbasanin atje ku atij i takon. Në këtë drejtim ne do të rrisim bashkëpunimin me drejtuesit aktual të klubit”, tha Turku.

Top Channel