SHBA, Senati miraton projektligjin për ndalimin e përgjimeve

03/06/2015 00:00

Senati amerikan ka votuar të martën projektligjin që kufizon mbledhjen e të dhënave telefonike nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare, NSA.

Projektligji i njohur ndryshe si “Akti i Lirisë” kaloi me 67 vota pro dhe 32 kundër, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve e kishte votuar atë me një shumicë dërrmuese muajin e kaluar. Tashmë ai do të shkojë në Shtëpinë e Bardhë për firmën e Presidentit Obama, i cili është shprehur i gatshëm për nënshkrimin.

I ashtuquajturi “Akti i Lirisë”, parashikon që të dhëna të tilla të mbeten në pjesën dërrmuese në duart e kompanive telefonike. Ai do të zëvendësojë legjislacionin aktual të njohur si “Akti Patriotik”, që u miratua pas sulmeve të 11 shtatorit. Debatet dhe zemërimi lidhur me përgjimet telefonike kulmuan kur ish-analisti i NSA-së, Edward Snowden zbuloi praktikën.

Në vend të marrjes së  sasive të mëdha të të dhënave nga kompanitë telefonike dhe interneti, NSA-ja është e detyruar të kërkojë informacione përmes urdhrit të gjykatës. Tashmë të dhënat do të ruhen nga kompanitë telefonike dhe jo në serverat e qeverisë.

Kërkesa duhet të jetë specifike për një subjekt, individ, llogari, apo një pajisje elektronike. Rreth 6 muaj do të jenë të mjaftueshme për zbatimin e plotë të kësaj politike të re.

Përgjimet masive të agjencisë dolën në dritë nga ish-kontraktori i saj, Edward Snowden, i cili pas publikimit të skandalit kërkoi azil politik në Rusi, ku jeton edhe kësaj dite.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA