Pallat në oborrin e “Don Boskos”, qendra sociale kundërshton vendimin e gjykatës

03/06/2015 00:00

Bashkësia e qendrës edukative baritore e qendrës sociale “Don Bosko ” ka protestuar ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit që u kthen pronarëve një pjesë të territorit ku është ngritur qendra “Don Bosko”, për të ndërtuar pallat.

Në vitin 1992, Bashkia e Tiranës dhe qeveria shqiptare i kanë dhënë këtë terren Nunciaturës Apostolike për të ndertuar një qendër të forumit kulturor dhe profesional për të rinjtë. Nunciatura ia ka besuar këtë qendrës sociale “Don Bosko”. Pretendente si pronare e këtij terreni është familja Petrela, të cilës përfaqësuesi i Kishës Katolike i bën thirje të mos i prishin këto ambiente.

“Pretendohet se është e familjes Petrela, një nga familjet më të mëdha dhe të nderuara të Tiranës. Këto hapësira të ‘Don Boskos’ i përkasin gjithë qytetit, prandaj përveç gjykatësve dhe sistemit gjyqësor, u bëjmë thirrje dhe atyre që pretendojnë të ndërtojnë këtu që të vënë dorën në zemër, sepse kjo na përket të gjithëve”, thotë Don Gjergj Meta.

Në këtë proteste morën pjesë qytetarë, të rinj të qendrës “Don Bosko” dhe përfaqësues të Nunciaturës Apostolike.

Top Channel