Kinë, veniten shpresat për të mbijetuar nga fundosja e anijes në lumin Jance

03/06/2015 00:00

Shpresat për të gjetur të mbijetuar në anijen e përmbysur mesnatën mes të hënës dhe të martës në lumin Jance të Kinës, me kalimin e orëve zbehen gjithmonë e më shumë. 18 janë deri më tani vdekjet e konfirmuara; personat e shpëtuar vetëm 14, ndërsa të zhdukurit me qindra.

Në bordin e “Yllit të Lindjes”, të fundosur të hënën për shkak të motit të keq, kishte 456 persona, shumica të moshuar.

Edhe pse premtojnë vazhdimin e kërkimeve, zyrtarët kinezë paralajmërojnë se kjo mund të jetë fatkeqësia më e madhe e këtij lloji e regjistruar në vend prej dekadash të tëra.

“Për sa kohë ekziston qoftë edhe një rreze e vogël shprese, ne do të bëjmë maksimumin tonë, e në asnjë rast nuk do të dorëzohemi”, – tha ministri i Transporteve, Yang Chuantang. “Por duhet të jemi të ndërgjegjshëm se, për punonjësit e shpëtimit, kjo është një garë me kohën”.

Kreu i qeverisë, Li Keqiang u kërkoi polumbarëve të vazhdonin zhytjet edhe gjatë natës, pasi arritën të shpëtojnë dy persona, një nga të cilët një grua 65-vjeçare.

Rrëfimi i një të mbijetuari të fatkeqësisë ka hedhur dritë mbi momentin e incidentit; anija – sipas 43-vjeçarit Zhan Hui, – ishte anuar keqas, ndoshta në një kënd prej 45 gradësh, e pas kësaj ka nisur të fundoset me një shpejtësi të frikshme.

Ai vetë tregon sesi shpëtoi falë një jeleku shpëtimi, që e ndihmoi të qëndronte në sipërfaqe. “Ylli i Lindjes” nuk dërgoi asnjë sinjal emergjence përpara mbytjes. Kapiteni, i cili është ndaluar nga policia së bashku me kryeinxhinierin, pretendon se anija u gjend krejt papritur në mesin e një cikloni të fuqishëm.

Top Channel