PD përsërit akuzat: Veliaj varfëroi qytetarët

01/06/2015 00:00

Partia Demokratike ka përsëritur këtë të hënë akuzat ndaj kandidatit të majtë, Erion Veliaj, se ka lënë në varfëri qytetarët, përfshirë ata të Tiranës, ku po kandidon për kryetar bashkie.

Në një deklaratë për mediat, deputetja Albana Vokshi ka deklaruar se Veliaj duhet të japë llogari për premtimet e pambajtura në lidhje me pagën minimale dhe çmimet e ushqimeve të shportës.

Vokshi është shprehur se, është e prapranueshme që në fushatën aktuale elektorale Veliaj po përsërit të njëjtat premtime sikurse ishte ministër.

“Sot është dita që Erioni të përballet me faktet e jo më me fjalët. Qytetarët janë të lodhur nga përsëritja e premtimeve të pambajtura që Erion Veliaj bëri dy vite më parë dhe që tani po i përsërit me ambalazh të ri për Tiranën”, ka deklaruar Vokshi.

Ajo ka kujtuar se, në vitin 2013 Veliaj premtoi se: “paga minimale do të garantohet mbi minimumin jetik të indeksuar me shtrenjtimin e ushqimeve të shportës dhe mallrave të domosdoshme”.

“Ky premtim s’ishte gjë tjetër veçse një tjetër mashtrim. Pse Erioni nuk e çoi pagën minimale mbi minimumin jetik dhe nuk indekson ushqimet e shportës për të luftuar varfërinë? Pse sot në Shqipëri nuk kemi të llogaritur minimumin jetik? Është e qartë që llogaritja e minimumit jetik do të nxirrte në shesh politikat më antisociale të Erionit. Erion Veliaj ishte ministri përgjegjës për t’u siguruar që ky premtim të mbahej, ashtu si dhjetëra premtime të tjera që po ia kujtojmë atij dhe qytetarëve shqiptarë. Erioni premtoi, por nuk e pati problem të mashtrojë të gjithë shqiptarët. Sot, ata ndihen të mashtruar nga Erioni që vetëm flet, por nuk realizon asgjë”, ka thënë Vokshi.

Duke theksuar se, politikat e Veliajt kanë bërë që shqiptarët të mos kenë të ardhura për të gjitha vaktet e ushqimit dhe për ilaçet e kurimit, deputetja demokrate i është drejtuar kandidatit të majtë duke thënë: “Votuesit nuk janë lodra që të mashtrohen përsëri prej tij”. 

Top Channel