PD, Halimi: Prokuroria të hetojë skemën kriminale të importimit të zgjedhësve

01/06/2015 00:00

Partia Demokratike ka vijuar me denoncimin e zhvendosjes fiktive të votuesve në Kavajë. Në emër të PD-së, Eduard Halimi i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme të kryejë hetime të shpejta, “që të ndalojë që në 21 qershor të votohet me lista fiktive apo të manipulohet vullneti i zgjedhësve”.

“PD paralajmëron kryeministrin dhe kandidatin e tij të tërhiqen nga ky krim elektoral dhe kjo skemë kriminale e ndodhur në Kavajë. Skema kriminale shkatërrojnë procesin e zgjedhjeve të lira. Për këtë ka dhe do të ketë vetëm një përgjegjës, Edi Rama”, tha Halimi.

Z. Halimi ka deklaruar se janë importuar 595 votues në këtë qytet, nëpërmjet 194 kontratave fiktive të nënshkruara nga kreu aktual i bashkisë së Kavajës.

“KQZ ka dërguar në prokurori dosjen e plotë të kësaj skeme kriminale dhe gjetjet e auditit të këtij institucioni, në Kavajë në mbikqyrjen e vetë personit të akuzuar për krijimin e kësaj skeme. Ekspertët e PD-së kanë mbledhur të dhënat e reja që vërtetojnë plotësisht që procesi për importimin e zgjedhjve për tre muaj nga kryetari në ikje i bashkisë së Kavajës, në mbrojtje të plotë të kryeministrit Edi Rama është fiktiv”, deklaroi Halimi.

Top Channel