Kolonjë, tokat lihen djerrë. Prefekti: Fermerët të kultivojnë arrorë dhe lajthi

01/06/2015 00:00

1/3 e sipërfaqes bujqësore të zonës së Ersekës është lënë e pakultivuar, ndërsa harta vazhdon të zgjerohet.

Rajoni i Ersekës, për shkak të relievit malor, mbetet më pak produktivi në prodhimet bujqësore. Mijëra hektarë janë lënë të pakultivuar në gjithë këtë zonë të varfër, ku edhe papunësia kap shifra rekord.

Sipërfaqe të tëra djerrë kanë mbetur edhe për arsye se kostot e prodhimit janë tepër të larta dhe të papërballueshme për fermerët, ndërsa lloji i tokës nuk favorizon prodhimin e të gjitha kulturave.

Për këtë zonë të lënë në harresë, sipas të dhënave, zgjidhja do të mbetet orientimi i fermerëve drejt kultivimit të lajthisë dhe arrorëve.

Ardit Konomi, prefekti i Korçës, thotë: “Aktualisht po punojmë me lajthinë. Ka patur investitorë të interesuar, qoftë për kultivimin e qoftë për marrjen e produktit. Ne po shikojmë të gjitha alternativat për të bërë më të mirën e mundshme”.

Problem në këto toka ngelet edhe sistemi vaditës, ku mungesa e ujit është një tjetër faktor që i kushtëzon fermerët për të punuar tokat e tyre.

Top Channel