Hammond: BE-në e reformuar e “shesim shtrenjtë” te britanikët. Reagon aleati i Merkelit

01/06/2015 00:00

Qeveria britanike do t’i “shesë shtrenjtë” avantazhet e të qëndruarit në Bashkimin Europian gjatë referendumit kombëtar, vetëm nëse do të mund të sigurojë një paketë reformash mjaftueshëm të mirë, bëri të ditur Sekretari i Jashtëm, Philip Hammon, gjatë së hënës.

Kryeministri David Cameron, i cili fitoi mandatin e tij të dytë në pushtet gjatë muajit të kaluar, ka premtuar se do të reformojë marrëdhëniet e Britanisë me BE-në përpara referendumit, që pritet të mbahet për vazhdimin ose jo të anëtarësisë në bllokun europian, nga fundi i vitit 2017.

“Nëse do të mund të sigurojmë një paketë të vlefshme, atëherë do t’u bëjmë jehonë të madhe avantazheve të qëndrimit; madje jo vetëm të qëndrimit në BE, por edhe rritjes së lidhjeve me të”, tha Hammond gjatë një eventi të një grupi “think tank” të organizuar në “Chatham House” të Londrës.

“Ne duhet ta mendojmë BE-në, si një organizatë ku mund t’i japim formë një imazhi, i cili të jetë tërheqës për ne. Ky është çmimi që diskutohet në këtë mes, pasi duhet ta bëjmë popullin britanik të mendojë pozitivisht për angazhimin tonë në Europë”, shtoi ai.

Hammond, i cili më herët kishte thënë se do të votonte për t’u larguar nga BE-ja e pareformuar, deklaroi gjithashtu se ishte në interesin ekonomik të Britanisë të qëndronte në bllokun europian, për aq kohë sa ai mbetet largpamës dhe i fokusuar në të qenit kompetitiv.

Ndërkohë, një reagim i papëlqyeshëm për qeverinë britanike ka ardhur nga Gjermania.

Njëri prej aleatëve të Kancelares gjermane, Angela Merkel, bëri të ditur se do të ishte jorealiste për kryeministrin David Cameron, të presë sukses në synimet e tij për ndryshime në traktatet e Bashkimit Europian, përpara sesa vendi të mbajë referendumin për të qëndruar ose jo në bllok.

Komentet e tij vijnë vetëm pak ditë pasi Cameron zhvilloi një tur vizitash nëpër disa kryeqytete të Europës, për të diskutuar planet e tij me disa prej udhëheqësve kryesorë të BE-së

Pas takimit me Cameron, të premten në Berlin, Merkel premtoi se do të punojë së bashku me të për të arritur një marrëveshje, duke shtuar se ndryshimi i Traktatit të Lisbonës nuk ishte “totalisht i pamundur”.

Norbert Roettgen, kreu i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë në Bundestagun gjerman, si dhe një ligjvënës i kristiandemokratëve të Merkelit, tha se Gjermania dëshiron që Britania të qëndrojë në BE, por duhet të shohë diçka që të jetë e realizueshme.

“Të ndryshoj traktatin është një aventurë tepër e madhe politike, ndaj dhe duhet të investosh një kapital tepër të madh politik, por edhe të rrezikosh”, tha Roettgen për reporterët në Londër. “Pasja e konsensusit për përmbajtjen dhe më pas për procedurën e ndryshimit të traktatit brenda 2 viteve, do të thoja që është thjesht e parealizueshme”.

Top Channel