Veliaj: Një model i ri administrimi dhe rehabilitimi për Kopshtin Zoologjik

31/05/2015 00:00

I shoqëruar nga arkitekti i njohur anglez, Ray Hole, kontribues në ndërtimin e Kopshtit Zoologjik të Londrës, kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj ka vizituar ambientet e Kopshtit Zoologjik në kryeqytet, për të parë mundësinë për rijetësimin e kësaj zone të Tiranës.

“Kemi një mundësi për të eksploruar se ç’mund të bëjmë me këtë zonë, Kopshtin Zoologjik, që sot është një ndërmarrje e falimentuar e Bashkisë. Po shikojmë një model të ndryshëm financiar, ku bashkia është vetëm një nga aktorët, dhe pastaj është qyteti ai që bashkëpunon më shumë, me kompanitë e tjera për të sponsorizuar dhe për ndërtimin e një modeli financiar të qëndrueshëm. Kemi diskutuar për pjesën e arkitekturës dhe për të parë hapësirat që kemi, jo vetëm për ta zgjeruar, por edhe për të përdorur më mirë hapësirat aktuale që kemi. Është një Kopësht Zoologjik unik, që mund ta kthejmë në një potencial fantastik për familjet dhe fëmijët e zonës së Njësisë 5, apo të Farkës në krahun tjetër. Ndaj, jemi këtu jo për ta parë si një problem, por si një mundësi e mirë, që pas 21 qershorit ta çojmë edhe Kopshtin Zoologjik në drejtimin e duhur, si një hapësirë dhe frymëmarrje për një qytet, i cili ka më shumë nevojë për parqe, sesa për beton”, tha kandidati i ASHEE-së, Erion Veliaj.

Nga ana e tij, arkitekti Ray Hole, pasi pa nga afër hapësirat e këtij kopshti, u shpreh se zona ka një potencial të jashtëzakonshëm.

“Këtu shoh një sfidë të madhe, por edhe potencial të madh. Ka nevojë për një strategji operacionale dhe një strategji për gjenerimin e të ardhurave, për të riinvestuar dhe për ta rikthyer këtë vend, në një vend frymëzues dhe konservues të pjesëve të tjera të botës nga vijnë kafshët”, tha Ray Hole.

Rijetësimi i Kopshtit Zoologjik është një nga pjesët më të rëndësishme të programit të kandidatit Veliaj, i cili parashikon ta kthejë atë në një Park Zoologjik me standarde bashkëkohore.

Top Channel