Joseph “Beau” Biden III, një veteran i luftës së Irakut, i cili ka shërbyer edhe si kryeprokuror i shtetit të Delaware, si dhe i biri i zëvendëspresidentit të SHBA-ve, Joe Biden, ka ndërruar jetë ditën e shtunë në moshën 46-vjeçare. Lajmi u njoftua nga Shtëpia e Bardhë përmes një deklarate, e sipas zyrës së zv.Presidentit, shkak ishte beteja e gjatë me tumorin në tru, të cilën Beau nuk e fitoi.
“Beau Biden ishte aq i thjeshtë, ndoshta më i miri që ndonjë prej nesh mund të ketë njohur”, shkruan i ati, Joe Biden, në deklaratën informative. Biden vuante prej kohësh nga probleme shëndetësore, të cilat e kanë zanafillën nga viti 2010, kur ai pësoi një goditje në zemër, e cila nuk i preku as aftësitë për të jetuar por as të folurin.
Në vitin 2013, Beau Biden u trajtua në një qendër shëndetësore kundër kancerit në Hjuston, pasi humbi orientimin dhe u dobësua gjatë të qenit me pushime. Ai u diagnostikua me tumor në tru dhe, pasi iu nënshtrua operacionit, iu tha se kishte shpëtuar nga sëmundja.
Megjithatë, kanceri iu rikthye këtë pranverë dhe Biden iu nënshtrua trajtimit intensiv në një tjetër qendër mjekësore, këtë herë ushtarake, në Bethesda të Merilendit, siç thotë zyra e zëvendëspresidentit të SHBA-ve. Ai ndërroi jetë të shtunën, i rrethuar nga familja e tij dhe të afërm.
Pas ka lënë bashkëshorten e tij, Hallie; dy fëmijë, Natalie dhe Hunter; një vëlla të quajtur sërish Hunter; si dhe një motër nga nënë e dytë, Ashley.
Pavarësisht problemeve me shëndetin e tij, gjatë viteve 2010-2013 Beau Biden vijoi të shërbente si kryeprokuror i Delaware, një post ku ishte emëruar prej vitit 2006. Një demokrat si i ati, ai shërbeu për dy mandate dhe njoftoi në vitin 2014 se nuk do të kërkonte një tjetër mandat në atë post, pasi po përgatitej për të garuar për guvernator.
Beau Biden është fëmija i dytë i Joe Biden, që humb jetën përpara kohe. Vajza njëvjeçare e zëvendëspresidentit, Naomi, u vra gjatë një aksidenti përgjatë Krishtlindjes në vitin 1972. Përplasja mori edhe jetën e gruas së parë të Joe Biden, Neilia, e cila ishte edhe nëna e Beau-së. Ai ishte 2 vjeç në atë kohë dhe, së bashku me vëllanë e tij më të vogël, Hunter, u plagosën në atë aksident, por mbijetuan.
Edhe Presidenti Obama, në deklaratën e publikuar prej tij, citoi një poet irlandez, William Butler Yeats, i preferuar shumë prej tij, në nderim të jetës së Beau Biden. Sipas citimit, shkruhej se “Gjithmonë kam besuar te më e mira e çdo njeriu. Dhe për ta gjetur atë që besoja, është e mjaftueshme ta bësh një njeri të keq të tregojë më të mirën e mundshme, si dhe një njeri të mirë të bëjë edhe më mirë. Beau Biden besonte te më e mira e të gjithëve ne, – shkruan Obama. – Për të dhe për familjen e tij, ne e kemi ngritur stekën edhe më lartë”.
Top Channel