Kandidati i opozitës në Elbasan, Ardian Turku: Borxhli ndaj ish të përndjekurve

31/05/2015 00:00

Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Elbasanit, Ardian Turku në kuadër të takimeve elektorale zhvilloi një bashkëbisedim me ish të përndjekurit politikë.

Pasi dëgjoi shqetësimet e tyre për klimën politike në vend, Turku tha se fitorja e tij është fitore e së mirës ndaj së keqes.

Turku është ndalur në gjendjen totalisht të mjeruar në të cilën ndodhet sot vendi. Sot sipas tij shqiptarët janë më të varfër se kurrë. Atyre u mungon liria e fjalës, u mungon qetësia u mungon shpresa. Sot, sipas tij, nuk synohet mirëqenia, por pushteti dhe paraja.

Sipas zotit Turku ish të përndjekurit vazhdojnë të mbeten një shtresë me shumë probleme pasi ende nuk e kanë marrë atë që meritojnë. Por, ai ka premtuar se në krye të bashkisë së Elbasanit do të bëjë më të mirën për ta.

“Unë ju premtoj se më shumë se sa në të kaluarën do t’ju gjendem në nevojat tuaja me të gjitha mundësitë që do të kemi, qofshin ato më të kufizuara. Unë ju premtoj se derën time do ta keni gjithmonë të hapur sepse më shumë se sa ju asnjë shtresë tjetër nuk mund ta kuptojë rrezikun e kthimit në të kaluarën nga shenjat shumë të dukshme dhe të gjalla që ne kemi në jetën tonë të përditshme sot”, u shpreh Turku.

Top Channel