Halim Kosova: Ambiente pa qira për artistët e rinj

31/05/2015 00:00

Kandidati demokrat, Halim Kosova takoi një grup të rinjsh në Amfiteatrin e Parkut të Liqenit në Tiranë. Ai premtoi se, në krye të Bashkisë do të japë pa qira ambientet e shumta e të pajeta në varësi të Bashkisë për të rinjtë artistë, në mënyrë që këto ambiente të marrin jetë.

Më herët, Kosova iu përgjigj edhe akuzave të rivalit të tij, Veliaj, për klinikën pa leje. Kosova tregoi lejen, që atij ia ka dhënë Edi Rama, në vitin 2004.

“Unë iu siguroj se, në krye të Bashkisë së ardhshme të Tiranës, të gjithë të rinjtë që prodhojnë art, kulturë, skulpturë, e që prodhojnë ushqimin më të rëndësishëm shpirtëror për kryeqytetin, do t’i kenë në dispozicion, jo vetëm hapësirat publike që Tirana ka, dhe jo vetëm që do t’i kombinojmë në mënyrën më të mirë të mundshme për t’i ofruar qytetarëve të Tiranës edhe këtë lloj ushqimi, kaq shumë i domosdoshëm në jetën e përditshme. Por, njëkohësisht Bashkia e Tiranës do t’iu ofrojë juve pa qira, të gjitha ambientet, që sot janë në dispozicion të bashkisë por pa jetë brenda, për t’i gjallëruar duke futur gjakun e rinisë, projektet e rinisë dhe të ardhmen që rinia shpreh në çdo vend, në mënyrë që t’i gjallërojmë në të mirën tuaj dhe të qytetit. Kryefjala do të mbetet punë, punë dhe e ardhme për çdonjërin prej jush që mbaron një profesion, që përfundon një shkollë për një profesion të caktuar, apo mbaron universitetin”, tha Halim Kosova.

Në këtë mënyrë, thotë Kosova, mund t’i kthehet shpresa kryeqytetit, që po i humbte.

Top Channel