Basha, në Fier e Roskovec: Ngado ankesa për çmimin e energjisë dhe fuqinë blerëse

31/05/2015 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua me tregtarë dhe banorë të Fierit dhe Roskovecit.

Në takimet me banorët, kreu i opozitës tha se “halli i ka bashkuar njerëzit”: “Vendi po shkon drejt greminës, jo në drejtimin e duhur. Në greminë do të bien të gjithë, të djathtë e të majtë. Kjo është gremina e mjerimit, e varfërisë, e taksave të larta, e çmimeve të larta, kur në fakt u premtua e kundërta. Vota më 23 qershor u mor me premtimin se do të uleshin taksat, me premtimin se do të ulej çmimi i energjisë, me premtimin se do të ulej çmimi i naftës e do të hapeshin 300 mijë vende të reja pune”.

Sot, tha Basha, Edi Rama me hipokrizi flet për dashuri ndaj grave, por respekti tregohet duke ua lehtësuar jetën dhe jo vështirësuar atë: “Çfarë dashurie ke për gratë, kur nuk ke hapur asnjë perspektivë, asnjë mundësi për punësimin e tyre apo të burrave të tyre?  Kur vetë gratë shkojnë në shtëpi me kokën e ulur dhe me sytë përdhe sepse shumica prej tyre nuk e dinë si ta mbyllin muajin, nuk e dinë ku t’i gjejnë lekët për të nesërmen, kur listat shtohen, kur mijëra e mijëra janë nxjerrë nga puna apo janë hequr nga listat e ndihmës ekonomike”.

Top Channel