ASHEE, Sejdini premton 10 mijë vende pune: Elbasani, zonë industriale

31/05/2015 00:00

Gjatë një takimi, që ka zhvilluar me gra dhe vajza, kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Elbasanit, Qazim Sejdini ka premtuar hapjen e 10 mijë vendeve të punës brenda mandatit 4-vjeçar.

Sejdini e mbështeti premtimin e tij në disa programe punësimi dhe në kthimin e ish-Kombinatit Metalurgjik në zonë ekonomike. Po ashtu, Sejdini renditi disa projekte, të cilat do të fillojnë të konkretizohen së shpejti.

“Këto ditë fillon ndërtimi impianteve të fuqishme, i një uzine ferrokromi dhe i një uzine rafinerie nafte. Gjithashtu edhe një ndërmarrje fasonerie, me 250 gra të punësuara në rrobaqepësi, si dhe një ndërmarrje për pastrimin e peshkut, me 300 gra të punësuara. Kemi filluar edhe studimin e impiantit të djegies së plehrave, i cili prodhon 11 metër kub avull në orë dhe kërkon 20 hektarë tokë për të bërë sera të tipit izraelit. Përsëri, kemi një ndërmarrje tjetër bujqësore, pra kemi filluar të lëvizim dhe gjithçka ka filluar të lëvizë për mirë në Elbasan. Mbajeni mend, trekëndëshi Tiranë-Durrës- Elbasan do të jetë më funksional se kurrë dhe Elbasani do jetë zona industriale, që do të punësojë njerëz dhe që do të rregullojë jetën e qytetarëve të Elbasanit”, tha Qazim Sejdini, kandidat i ASHE-së, Elbasan.

Në takimet e tij, Sejdini i dha gjithashtu përgjigje edhe akuzave të kundërshtarit të tij, lidhur me ndërtimin e impiantit të grumbullimit dhe djegies së mbeturinave. Sipas Sejdinit, ky është investimi më i madh dhe më i rëndësishëm, që është bërë ndonjëherë në Elbasan. Falë këtij investimi, – tha ai,- të cilin askush s’mund ta kthejë më pas, qytetarët e Elbasanit do të marrin frymë lirshëm, pa thithur ajrin kancerogjen që mbulonte qytetin.

Top Channel