Meta: PD, në drejtim të paditur. Bashkitë, jo në foltore të konfliktit politik

30/05/2015 00:00

“Qytetarëve nuk ka çfarë u duhet përshkallëzimi i konflikteve politike duke votuar kandidatët e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 21 Qershorit”.

Kështu deklaroi kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta gjatë një takimi elektoral në Shëngjin.

“Partia Demokratike është në drejtimin e gabuar, me keq akoma, është në drejtim të paditur sepse po përpiqet që përmes këtyre zgjedhjeve të shtojë konfliktin politik. Nuk ka çfarë i duhet Shëngjinit, Lezhës, dhe gjithë Shqipërisë konflikti politik. Boll kanë të enjten. Unë e di se ç’heq ditën e enjte me gjithë ato mesazhe që më vijnë. Por ne jemi tolerantë dhe përpiqemi të jemi tolerantë jashtë mase. Unë kam parim që më mirë tolerant sesa arrogant. Por nuk mund t’i kthejmë bashkitë në foltore të konfliktit politik sepse kështu nuk na zgjidhen problemet”- tha Meta.

Meta tha se me ndarjen e re nuk mjaftojnë vetëm fondet, por duhet edhe përvoja e kryetarit të bashkisë në administrimin e pushtetit vendor, përvojë që sipas kreut të LSI-së, nuk i mungon kandidatit të mazhorancës, Viktor Tusha.

Nga ana e tij, kandidati i mazhorancës për bashkinë e Lezhës kërkoi votën, jo vetëm ‘si drejtim i duhur, por edhe si garanci për projektet që janë zbatuar deri më tani dhe të tjerat që do të zbatohen në të ardhmen.

Top Channel