Korçë, Filo dhe Kumbaro: 1.2 milionë dollarë për teatrin “Çajupi”

30/05/2015 00:00

Teatri “Andon Zako Çajupi” në Korçë, në skenën e të cilit janë ngjitur qindra artistë dhe janë realizuar qindra shfaqje, do të rikonstruktohet pas miratimit të projektit që synon t’i japë teatrit një tjetër hov.

Rruga për investimin është hapur gjatë takimit që kandidati i majtë për Bashkinë e Korçës, Sotiraq Filo ka prezantuar në ambjentet e Hanit të Elbasanit, tek Pazari i Korçës, programin e tij për kulturën, trashëgiminë dhe turizmin.

Të pranishëm në këtë takim ishin zv.kryeministri Niko Peleshi, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, si dhe personalitete të artit dhe kulturës së qytetit.

Në këtë takim, ministrja Kumbaro dha lajmin e aprovimit të projektit të ri për rikonstruksionin e teatrit, me një fond prej 1.2 milionë dollarë.

Mbështetja me grant për ndërtimin e rrjetit të 50 bujtinave tradicionale në qytetin e Korçës dhe zonave turistike, ndërtimi i Parkut Monumental dhe Fetar pranë xhamisë “Iljaz Bej Mirahori” dhe kthimi i saj në atraksion ballkanik, ishin disa nga premtimet e tjera.

Gjithashtu, çelja e Muzeut të Komunizmit brenda tunelit të ish-ministrisë së Brendshme tek parku “Rinia” ishin disa nga shtyllat kryesore të programit elektoral për kulturën, trashëgiminë dhe turizmin të kandidatit Filo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB