Veliaj prezanton programin për gratë dhe vajzat

29/05/2015 00:00

Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj prezantoi të premten, në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, programin e tij për gratë dhe vajzat.

Veliaj tha se për gruan flitet në çdo rresht të programit të tij për Tiranën.

“Ne jemi në këtë garë për tema që bisedohen në tavolinën e bukës së çdo familjeje në Tiranë, ku nuk flitet për revolucion, por flitet për termat që çdo grua dhe vajzat në qytetin tonë i kanë në mend. Flitet për kopshtet, çerdhet. Fjala grua është në çdo rresht të programit tonë. Kur themi që duhen kopshte, shkolla, çerdhe, kujtojmë nënat që çojnë fëmijët në këto kopshte, çerdhe e shkolla” – deklaroi Veliaj.

Kandidati i mazhorancës tha se për herë të parë do të ketë më shumë gra se burra në vendimarrjen e Tiranës dhe ky emancipim, sipas tij, do të shtrihet nga Tirana në gjithë Shqipërinë.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe dy krerët e mazhorancës së majtë, Edi Rama dhe Ilir Meta.

“Jemi krenarë që kemi marrë një vendim historik në Parlament, duke garantuar barazinë gjinore në këshillat bashkiakë, dhe jam i bindur që ky nuk është hapi i parë dhe i vetëm për barazinë gjinore. Dëgjova këtu se gratë janë po aq të afta sa burrat, por unë jam i bindur që gratë janë më të aftë se burrat”- tha Meta.

Ndërsa kryeministri Rama premtoi vijimin e mbështetjes për gratë dhe vajzat dhe rritjen e përfaqësimit të tyre në institucione dhe në postet kyçe qeverisëse. Rama tha se qeveria e tij në këto 18 muaj ka bërë shumë në këtë drejtim, duke u renditur mes qeverive evropiane me praninë më të madhe të grave.

“Për herë të parë qeveria shqiptare ka në radhët e saj 7 gra ministre, që në renditjen e BE e fusin Shqipërinë në radhën e qeverive me praninë më të madhe të grave”, tha Rama.

Shefi i qeverisë shtoi se, kandidati i koalicionit të majtë Erjon Veliaj do të punojë edhe më shumë në këtë drejtim, duke qenë, sipas tij, përfaqësuesi i denjë i grave dhe vajzave shqiptare.

“Erioni është me fat që ju ka juve dhe mbështetjen tuaj. Erjoni, përveç se kandidati i AESH, është edhe kandidati i përbashkët i grave dhe vajzave të Tiranës, socialiste dhe demokrate”, u shpreh Rama.

Top Channel