Vangjush Dako me të rinjtë: Do të ndërtojmë 14 shkolla të reja

29/05/2015 00:00

Kandidati i majtë për bashkinë e Durrësit, Vangjush Dako është takuar me të rinj që votojnë për herë të parë. Ai u ka premtuar 14 shkolla të reja, si dhe hapjen e një shkolle profesionale për bujqësinë.

“Do të ndërtojmë 14 shkolla të reja ku secila do të ketë sipërfaqe 5 mijë metra katror dhe një shkollë profesionale me drejtim bujqësinë, pasi për kohën që jetojmë sot është bërë i domosdoshëm aplikimi i teknologjive të reja edhe në fushën e bujqësisë. Ne duam që të rinjtë të fokusohen tek këto shkolla që do të pajisjen me teknologji innovative”, tha Dako.

Dako tha se godinat e komunave dhe bashkive që do t’i bashkohen Durrësit do të kthehen në qendra multifunksionale sociale për njerëzit në nevojë.

Po kështu të gjitha terrenet publike që gjenden në të gjitha fshatrat, tha Dako, do të jenë në dispozicion për ngritjen e shkollave të reja dhe terreneve sportive. “Ne do të aplikojmë modelin e Durrësit edhe në Sukth, Ishëm, Manzë, Katund i Ri dhe Rrashbull, pasi për ne qytetarët janë të gjithë të barabartë dhe meritojnë shërbime më të mira”, vijoi Dako.

Top Channel