SHBA, ish-kreu i Dhomës së Përfaqësuesve akuzohet nga autoritetet federale

29/05/2015 00:00

Autoritetet federale në SHBA ngritën akuza ndaj ish-kreut të Dhomës së Përfaqësuesve, Dennis Hastert, për deklarata të rreme ndaj FBI-së dhe shmangie nga taksat, teksa ‘ka synuar të paguajë një subjekt për të fshehur shkelje të së kaluarës’.

Padia është lëshuar nga një gjykatë ditën e enjte në Illinois. Departamenti i Drejtësisë pretendon se Hastert ka bërë tërheqje në shuma të mëdha të parave, pasi kishte rënë dakord t’i paguante një subjekti 3. 5 milionë dollarë, emri i të cilit nuk është bërë i ditur.

Akuza e ngritur nuk shpjegon saktësisht se cilat kanë qenë shkeljet në të kaluarën nga zoti Hastert, por dyshimet janë ngritur pas tërheqjes së shumës së madhe të dollarëve, ndërkohë që arsyeja e tërheqjes nuk ishte bërë e ditur. Pagesat janë bërë në një periudhë 4 vjeçare, duke filluar nga 2010-ta deri në vitin 2014.

Dennis Hastert mori postin e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve në vitin 1999 dhe qëndroi deri në 2006-ën. Para se bëhej pjesë e Kongresit ai kishte qenë mësues në një shkollë të mesme në Illinois.

Top Channel