PD kërkon heqjen e mandatit të deputetit për Koço Kokëdhimën

29/05/2015 00:00

Partia Demokratike ka dorëzuar këtë të premte në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për kundërshtimin e vendimit të Kuvendit të Shqipërisë “për mosdërgimin në Gjykatën Kushtetuese të çështjes për konstatimin e papajtueshmërisë me detyrën e deputetit të zotit Koço Kokëdhima”.

“Vendimi i Edi Ramës dhe Ilir Metës për të marrë në mbrojtje shkelësin e Kushetutës dhe për t’ia fshehur atë drejtësisë është rast i paprecedent në këto 24 vite të Parlamentit dhe demokracisë. Nëse Kuvendi bëhet mburojë për deputetët që shkelin Kushtetutën dhe ligjin, atëherë nga organi më i lartë i përfaqësimit të popullit shndërrohet në organin më të lartë të mbrojtjes së interesave të Koço Kokëdhimës dhe bizneseve të tij. Ky është fundi i demokracisë dhe i kushtetueshmërisë në vend”, thuhet në njoftimin për shtyp të Partisë Demokratike.

“Në këtë rast, Kuvendi ishte i detyruar të ndjekë standardin kushtetues dhe precedentin parlamentar të rastit ‘Beqaj’, të provuar edhe nëpërmjet vendimit nr. 44/2011 të Gjykatës Kushtetuese. Rasti i deputetit Koço Kokëdhima është disa herë më i rëndë se rasti i deputetit Ilir Beqaj, pasi janë me qindra rastet e përfitimit të parave nga Buxheti i Shtetit”, shtohet në deklaratë.

Top Channel