PD denoncon dhunën në Sukth. Spaho: Policia të mos e përkrahë

29/05/2015 00:00

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka denoncuar gjatë një konference për shtyp mbështetjen, sipas tij, që policia po u bën personave të përfshirë në ngjarjen e rëndë, ku u dhunuan dy punonjës të Bashkisë së Sukthit dhe sekretari i seksionit të PD-së të fshatit Kullë.

“Edhe një herë po ngremë shqetësimin e thellë për ngjarjen e rëndë që ndodhi pardje në Bashkinë Sukth. Në ambientet ku u zhvillua dy ditë me parë aktiviteti i kandidates së PD-së për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma, u sulmuan në mënyrë të dhunshme dy punonjës të Bashkisë Sukth dhe sekretari i seksionit të PD-së të fshatit Kullë duke i goditur me mjete të forta dhe tytën e pistoletës, dhe kërcënuar me jetë, nga përfaqesues të shtabit elektoral të Vangjush Dakos në këtë Bashki”, tha Spaho.

Sipas tij, komunikata e policisë, në mënyrë të qëllimshme ka gënjyer, duke shpallur në kërkim vetëm dy nga autorët që kanë kryer aktin e dhunshëm.

“Sipas filmimeve që ju kemi paraqitur dhe dëshmive të tre të plagosurve, tregohet qartë që veç personave që janë shpallur në kërkim, autor kryesor i sulmit të dhunshëm është Berti Hoxha. Në këtë mënyrë, policia është bërë pjesë e këtij skenari me qëndrimin mbrojtës ndaj autorit kryesor, i cili nuk u ndalua megjithë kallëzimin e bërë dhe dëshmitë e dëshmitarëve okularë në vendngjarje”, u shpreh Spaho.

Top Channel