Keti Bazhdari dhe Voltana Ademi ‘heqin’ dorë nga flamujt partiakë

29/05/2015 00:00

Dy kandidatet për Bashkinë e Shkodrës, Keti Bazhdari dhe Voltana Ademi, kanë arritur këtë të premte një marrëveshje për të hequr flamujtë e shumtë partiakë të shpërndarë në çdo cep të qytetit dhe në çdo rrugë.

Para nisjes së fushatës elektorale, stafi i kandidates demokrate, Voltana Ademi shpërndau në rrugët kryesore të qytetit një numër të madh flamujsh të Partisë Demokratike. Ajo refuzoi kërkesën e bërë nga kandidatja socialiste për të kufizuar shpërndarjen e simboleve partiake në fushatë dhe pak ditë më vonë në rrugë u shfaqën në numër të madh flamujt e Partisë Socialiste.

Por pas një periudhe reflektimi është pranuar kërkesa për marrëveshje dhe këtë të premte nisi heqja e flamujve të shpërndarë gjithandej.

Ky veprim është parë me habi nga qytetarët në qytetin e Shkodrës, por është mirëpritur.

Burime nga dy partitë bëjnë të ditur se heqja e flamujve do të vazhdojë dhe do shikohet mundësia e vendosjes me marrëveshje në zona të caktuara.

Top Channel