Basha, në Dibër dhe Bulqizë: Më 21 Qershor, votë refuzimi qeverisë

29/05/2015 00:00

Lulzim Basha është rikthyer në Dibër për të mbështetur kandidatin e Partisë Demokratikem, Ilir Krosi, si dhe për të marrë mbështetjen e qytetarëve për opozitën dhe planin e saj për rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

Në zonën e Bulqizës, ku sipas kreut të Partisë Demokratike premtimet e qeverisë kanë qenë të mëdha, por veprat nuk ekzistojnë, Basha u kërkoi qytetarëve ta konsiderojnë votën edhe si një ndëshkim për qeverinë.

“Në 21 Qershor, vota juaj për Partinë Demokratike është refuzim i politikës që e ka zhytur Shqipërinë në krizë të thellë ekonomike, që i ka zhytur shqiptarët në papunësi, që i ka rritur çmimet dhe e ka bërë të pamundur mbijetesën për mijëra familje anembanë vendit”, tha Basha.

Nga Bulqiza në Peshkopi, Basha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të mbulojë dështimin e qeverisjes së tij me sulme primitive kundër opozitës, kandidatëve të saj dhe vetë kryetarit të Partisë Demokratike. Por gjithçka, sipas tij, tregon dobësinë e kryeministrit.

“Edi Rama nuk ka ofertë për ju. Unë i them sot: kthehu në Dibër, përdor të njëjtin pasion me të cilin sulmon Lulzim Bashën për të sulmuar rrogat e ulëta, për të sulmuar varfërinë, papunësinë! Me të njëjtin inat që sulmon kryetarin e opozitës, që të ka mundur një herë dhe prapë do të të mundë, vërsulju listave nëpër dyqane që janë dyfishuar!”, tha Basha.

Partia Demokratike kërkon votëbesimin politik të shumicës së shqiptarëve për të detyruar qeverinë që të pranojë alternativën e opozitës që i lehtëson ata nga taksat dhe nxjerr vendin nga kriza.

“Vota juaj më 21 Qershor është vula e një referendumi popullor për të ulur me çdo kusht çmimin e energjisë dhe për faljen e kamatë-vonesave, për të ulur me çdo kusht taksat, për të rritur pensionet dhe pagat, për të rikthyer në listën e ndihmës ekonomike të gjithë ata që janë larguar me të padrejtë dhe këdo tjetër që ka nevojë për të, për subvencione për bujqësinë dhe blegtorët”, vijoi Basha.

Partia Demokratike ka propozuar ritkhimin e taksës së sheshtë me 9 për qind, si dhe uljen në disa nga bashkitë më të mëdha të vendit të të gjitha taksave dhe tarifave bashkiake me 30 për qind, me synim uljen e varfërisë dhe nxitjen e punësimit.

Top Channel