Shqipëri-Serbi, fqinjët që plakën refuzimin

28/05/2015 00:00

Aleksandër Çipa – Koha e vizitës së pangjarë e një kryeministri të Serbisë në Tiranë është e gjatë sa mosha e një zotërie rreth 70-vjeçar.

Janë rreth 68 vjet që protokolli, për shkëmbime dhe vizita në nivel kryeministrash mes dy kryeqyteteve ballkanike, ka qenë i bllokuar. Gjashtë muaj më parë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e mbylli këtë “moshë të madhe” të diplomacisë së vizitave të ndaluara dhe të pamundshme. Në mbi gjashtë dekadat e gjata të këtij refuzimi, është krijuar një “pleqëri e plotë” si moshë kohore, në marrëdhëniet refuzuese dhe antagoniste mes dy shteteve. Zhbërja e saj, aq më tepër e shpejtë, është e pamundur, sikundër zhbërja e pleqërisë si moshë njeriu.

Por kryeministri serb në Tiranë Aleksandar Vuçiç, ka zgjedhur të shprehet disi drejtpërdrejt: “Këtu jam që të shtrij dorën e miqësisë te populli shqiptar dhe te kolegu im, Edi Rama, pa i marrë parasysh dallimet tona në çështje të rëndësishme, të cilat nuk duhet të ndryshojnë drejtimin tonë kah e ardhmja, e ky drejtim është i miqësisë, respektit dhe marrëdhënieve më të mira ekonomike”.(Danas) Njëherësh, kolegu i tij, Rama, saktësoi se pavarësisht “mosdakordësisë sa një mal” dy vendet do të shohin nga e ardhmja.

Është e natyrshme që ndarja mes dy vendeve është e lidhur me arsyen që e shkaktoi bllokimin apo refuzimin “gjer në pleqëri”, pra me Kosovën. Dhe këtë arsye Serbia zyrtare do të duhet kohë ta pranojë e të ketë qasje tjetër, pasi ajo që ka ngjarë e po ngjet nuk ka më lidhje as me kokëfortësinë e as me çka deklarojnë kryeshtetarët e saj. Kosova ka tashmë fatin e vet vetëqeverisës  si republikë dhe Serbia ka mbetur në kohën e ndenjur të mosndryshimit të mendjes. Realitete të reja kanë mbërritur mes Shqipërisë dhe Serbisë dhe një tjetër realitet ka lidhje me arsyen e pandryshuar të së dytës. Ky realitet ndërmjetës, u ka hequr mundësinë edhe Serbisë edhe Shqipërisë, të mos jenë më fqinjë, por thjesht dy shtete në një entitet gjeohistorik me emrin e diskutueshëm Ballkan. Dy ish-fqinjët që e “plakën” refuzimin, tashmë nuk e vijojnë më “moshën e pleqërisë” së tij, por kanë vetëm mundësinë e nisjes së një “moshe” të re marrëdhëniesh mes dy qeverive të reja në vendet respektive.

A mund ta nisin këtë “moshë të re” kryeministrat Rama dhe Vuçiç? Kjo e ka tashmë fillimin. Gjashtë muaj më parë, Kryeministri i Shqipërisë së sotme, vizitoi Beogradin. Ngjarja u zhurmua, jo për thyerjen e ndaljen e “moshës së pleqërisë refuzuese”, por për shkak të një droni që fluturoi mbi stadiumin e Beogradit dy javë më parë se të ndodhte kjo vizitë. Opinioni publik i të dy vendeve zhurmoi e debatoi në mënyrën më populiste dhe egonacionaliste. Ndërsa mediat ofruan edhe më tepër atmosferë dhe imazhe tensioni.

Pas gjashtë muajsh, Kryeministri serb ktheu vizitën në Tiranë, duke konfirmuar përfundimisht ndaljen e “moshës së refuzimit” të një kohe diplomatike që ngrirjen e kishte si fat Antarktide. Mes dy vendeve me histori shekullore luftërash e gjakimesh, diplomatësh e ndërmjetësish, me tensione dhe akuza, tashmë është ngritur një realitet dhe proces i ri, matanë vullnetit serb, Kosova. Kjo republikë është arsyeja që Beogradi dhe Tirana të nisin kohën dhe moshën e një diplomacie të re mes tyre. Që të ngjasë kjo, nuk vlen as rikthimi në nostalgjinë e dikurshme e as në reminishencat e diplomacisë  me “jugo-” para.

Serbia dhe Shqipëria në vizitën dhe sidomos qëllimin zyrtar të vizitës së Kryeministrit serb, Vuçiç, në Tiranë, duket se po i përcjellin Ballkanit kumtin si në atë shprehjen e ish-presidentit amerikan Klinton drejtuar këshilltarit të vet:” It’s the economy, stupid! (Është ekonomia, o idiot!). Kjo fasadë e qëllimi i dukshëm, natyrisht nuk i mbulojnë dot problemet apo realitetet që lidhen më brendinë e vjetër. Shqipëria ka më shumë se kurrë të drejtë të kërkojë një nivel të ri, trajtim dhe të drejta për shqiptarët e Kosovës Lindore, pra, Luginës së Preshevës, ndërsa Serbia të sqarojë se nevoja e saj për daljen në portet e Adriatikut dhe në tregun ekonomik shqiptar, nuk kanë lidhje me sjelljet e shkuara dhe Serbinë e “pleqërisë së refuzimit”. Mirëpo nuk qenka aq e lehtë. Aleksandar Vuçiç në takimin me shoqatën e serbofilëve dhe të pretenduesve për minoritet serb në Shqipëri, ofron sikundër fqinji ynë i Jugut, Greqia ftesën dhe premtimin për lehtësim të procedurave për marrjen e shtetësisë serbe.

Tej këtyre detajeve të ndërkallura në axhendën e vizitës së Kryeministrit Vuçiç në Tiranë, “Forumi Ekonomik i Vjenës-Bisedimet Tirana 2015”, mund të konsiderohet një orë e re bisedimesh dhe piketimesh për shkëmbimet ekonomike dhe investimet në hapësirën mes dy vendeve. Shqipëria zhdërvjelltëson praktikat dhe procedurat për shfrytëzimin e infrastrukturës portuale e rrugore në aksin Shëngjin-Rrugë e Kombit-Kosovë-Nish-Beograd, ndërsa Serbia i heq realitetit të shkëmbimeve dhe tregtisë shqiptaro-serbe, atë peshë të rëndë të tensionit dhe klimës së ftohtë politike. Të dy vendet kanë nevojë për një kohë të re biznesi dhe ekonomie mes tyre. Aktualisht, fqinjët afër dhe ndanë tyre, janë protagonistë të një krize me pasoja dhe të panjohura tronditëse. Koha apo mosha “gjer në pleqëri” e refuzimit, po zëvendësohet me sa duket nga një kohë e moshë e re e realpolitikës dhe interesit. Të dy shtetet “plakën” sa askush tjetër, refuzimin mes tyre, ndërkohë që tashmë po gjenden në nevojën për një marrëdhënie tjetër.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA