Raporti mbi fëmijët e zhdukur në Shqipëri

28/05/2015 00:00

49 fëmijë rezultojnë të humbur në Shqipëri, për periudhën 2009-2014.

Ky ka qenë rezultati i një raporti të “Alo 116”-s, linjës kombëtare të këshillimit për fëmijë, i cili bazohet mbi të dhënat zyrtare të marra nga Policia e Shtetit.

Situata vlerësohet si shqetësuese në këtë raport, pasi vetëm përgjatë harkut kohor të 5 viteve rezulton një 6-fishim i rasteve.

Raportohet se, çdo ditë, një fëmijë mendon të largohet apo është larguar nga familja, në vendin tonë. Kategoria, që largohet me dëshirë nga mjedisi familjar, lidhet me një sërë faktorësh socialë, si divorci, dhuna dhe abuzimi në familje.

Këto kategori, gjithashtu bien lehtësisht prè e aktiviteteve kriminale, ose vuajnë pasoja të depresionit dhe shëndetit mendor.

Duke iu referuar statistikave, në 25% të rasteve, fëmijët vuajnë një formë abuzimi gjatë humbjes, 13% e të larguarve lëndohen fizikisht, dhe 8% e tyre bien viktima të dhunës seksuale.

Kategoria më e rrezikuar, sipas studimit, mbeten vajzat nën moshën 14 vjeç. Ato janë më të ekspozuarat ndaj humbjes dhe zhdukjes, me 67% të rasteve, apo 296 raste gjithsej. Djemtë përbëjnë rreth 33% të rasteve të policisë, me 148 çështje të trajtuara.

Trafikimi, rrëmbimi dhe shfrytëzimi seksual janë rastet më të shpeshta, ndërkohë që destinacionet ku përfundojnë janë shtete, si Greqia apo Italia. Sipas raportit, nuk përjashtohen as rastet e largimit të fëmijëve me njërin prind, apo shitja e tyre me qëllime përfitimi nga vetë prindërit.

E ndërsa këto konsiderohen shifra shqetësuese për një vend të vogël si Shqipëria, globi përballet me statistika edhe më alarmante. Sipas organizatave ndërkombëtare, mësohet se në botë humbasin 8 milionë fëmijë në vit, ose thënë ndryshe, 22 mijë fëmijë të humbur çdo ditë. 30% e viktimave të trafikut ndërkombëtar të fëmijëve janë me origjinë nga vendet e Europës Juglindore.

Top Channel