Kosova: Brenda mandatit të parë, asfaltim rrugëve rurale

28/05/2015 00:00

Me banorët e Qesarakës, kandidati i opozitës për kryetar të Bashkisë së Tiranës ripërsëriti zotimin e tij për të ulur me 30 përqind taksat vendore si për bizneset ashtu edhe për familjet.

“Do të bëjmë uljen e taksave, për familjet dhe biznesin me 30 përqind më të ulta se sot. Kjo është një mundësi reale, jo vetëm për të lehtësuar xhepat e familjarëve, por edhe për biznesin që t’i ngelin më shumë para në xhep për të menduar për vende pune dhe për të menduar për qytetarët, pse jo edhe për të ulur çmimet kur bëhet fjalë për mallra konsumi”- deklaroi Kosova.

Kandidati i Partisë Demokratike premtoi se punimet në infrastrukturë apo projekte të ndryshme do të jenë transparente dhe me një datë fillimi e përfundimi që do të respektohet. Kosova u zotua se brenda mandatit të parë në krye të Bashkisë së Tiranës, do të jenë të asfaltuara të gjitha rrugët rurale që lidhin fshatrat me qytetin.

Halim Kosova premtoi gjithashtu edhe shtimin e korsive për biçikleta me synim rritjen me 10 përqind çdo vit të përdoruesve të këtij mjeto ekologjik, për ta bërë Tiranën më të pastër.

Top Channel