Dako në Katundin e Ri: Prioriteti ynë, ndihma ndaj fermerëve dhe vënia në punë e veprave vaditëse

28/05/2015 00:00

Kandidati socialist për bashkinë e Durrësit, Vangjush Dako është takuar me fermerët e Katundit të ri. Ai u angazhua se brenda vitit të parë të mandatit të ri do të pastrohen 240 km kanale vaditëse të pamirëmbajtura për 25 vite me radhë.

Vizioni ynë, tha Dako, është ndihma ndaj fermerëve që prodhojnë dhe vënia në punë e të gjitha veprave vaditëse.

“Jemi duke parë nga afër të gjithë problemet që ka bujqësia, dhe ne si Bashki kemi për detyrë pastrimin e të gjithë kanaleve vaditëse të cilët më pas do t’ju shërbejnë për ujitje(vaditje). 240 km kanale do të jenë të pastruar gjatë mandatit të ardhshëm”, tha Dako.

Z. Dako foli më tej për nismën e krijimit të Inspektoratit të Arave, si një nga instrumentet e rëndësishëm për lehtësimin e procedurave për pastrimin dhe vaditjen e tokave bujqësore, si dhe rikonstruksionin e rrugëve që të cojnë në parcelat bujqësore.

Top Channel