Basha, në Burrel dhe Klos. Vota, për uljen e çmimit të energjisë dhe faljen e kamatëvonesave

28/05/2015 00:00

Në Burrel dhe në Klos, gjendja e qytetarëve që takoi nga afër kryetari i Partisë Demokratike u përshkrua prej tyre si e mjerueshme.

Panorama ishte e mbushur me njerëz të larguar nga puna dhe që nuk kanë shpresë se mund të gjejnë një tjetër të tillë, me fatura më të shtrenja të energjisë elektrike, familje që përballen me çmime më të larta dhe invalidë të hequr nga lista e ndihmës ekonomike.

“Oferta jonë, pika kryesore ka punësimin, uljen e taksave për të krijuar më shumë vende pune, për të punësuar të rinjtë, kryefamiljarë të papunë, përmes zgjerimit dhe forcimit të biznesit”, u shpreh Lulzim Basha para ankesave të njerëzve për heqje nga lista e ndihmës ekonomike, apo për pamundësi për t’u punësuar, edhe pse u janë drejtuar Zyrave të Punës.

Në Burrel, qytet që drejtohet nga Partia Socialiste, kryetari i opozitës sfidoi një nga linjat kryesore të fushatës së kryeministrit Rama, sipas të cilit, duke zgjedhur kandidatët e qeverisë, bashkitë do të kenë më shumë investime.

“Pas mashtrimeve për 300 mijë vende pune, pas mashtrimeve për uljen e taksave, për uljen e çmimit të energjisë, për legalizime falas e për shëndetësi falas, mashtrimi tjetër është që ‘po t’i kemi ne të dyja do t’i bëjmë më mirë’. Ja pra, këtu te ju i kanë pasur të dyja, a i kanë bërë më mirë këto dy vite? A kanë sjellë përmirësim në cilësinë e jetës suaj? A kanë sjellë shpresë për rininë? A kanë hapur vende pune për të papunët? Kanë mbyllur vende pune. Kanë pakësuar ndihmën ekonomike, e kanë bërë më të vështirë për shumicën dërrmuese të familjeve të mbyllin muajin”, tha Lulzim Basha.

Kryetari i opozitës po takohet nga afër me qytetarët në bashki të ndryshme të vendit, sepse kështu ai i jep mundësi vetes të kuptojë problemet e qytetarëve dhe të ofrojë zgjidhje për ta në programin e opozitës. Prandaj, ai e konsideron 21 qershorin si ditën për t’i dhënë qeverisë përgjigje për mashtrimet e dy viteve më parë.

“Më 21 qershor është mundësia për ta zgjidhur këtë. Si do ta zgjidhim? Me votë, duke votuar për Partinë Demokratike, votoni për uljen e çmimit të energjisë, për faljen e kamatëvonesave. Votoni për rikthimin në listën e ndihmës ekonomike të të gjithë atyre, që janë hequr me të padrejtë, dhe shtimin në këtë listë të atyre, që kanë nevojë me të vërtetë për ndihmën ekonomike. Nuk ka zgjidhje tjetër përveç votës”, deklaroi Lulzim Basha.

Top Channel