
Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj ka prezantuar programin e tij për banorët e njësisë numër 5 të kryeqytetit, duke siguruar se do të punojë për të gjithë qytetarët.
“Këtu ndodhet edhe vendbanimi i kandidatit tjetër, ndaj dua të garantoj të gjithë se unë dhe ekipi ynë që do të punojmë për të çuar Tiranën në drejtimin do të punojmë njësoj për qytetarët, edhe për doktor Halimin, edhe për rrugën e shkatërruar para shtëpisë së tij, për plehrat para shtëpisë së tij dhe qentë para shtëpisë së tij”, ka thënë Veliaj.
Veliaj ka listuar 473 problematikat e evidentuara në këtë njësi, që nisin që nga infrastruktura dhe higjena e deri tek mungesa e kopshteve dhe shkollave.
Sipas kandidatit të mazhorancës, pas 21 qershorit këto problematika do të jenë në fokusin kryesor të Bashkisë së Tiranës, së bashku me projektet e tjera të mëdha që prekin këtë zonë.
“Në rrugët “Perlat Rexhepi” dhe “Mentor Xhemali”, ujërat e zeza përfshijnë lagjet sa herë që bie shi. Kjo është një nga çështjet që ne do të adresojmë sapo të marrim bashkinë e re. Nëse ka një kompani që nuk kryen pastrimin, ne do ta ndërpresim kontratën. Historitë se, ‘ne kemi kontratën për 4 vjet’ do të marrin fund. Kontratat e reja nuk do të jenë pa limit”, ka shtuar Veliaj.
Top Channel