Veliaj, në njësinë 2 i shoqëruar nga Spartak Ngjela: Programe konkrete për çdo njësi

27/05/2015 00:00

Nga njësia bashkiake 2 në kryeqytet, kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ka vijuar prezantimin e programeve konkrete për çdo njësi.

Veliaj ka evidentuar si probleme më kryesore në këtë zonë ato të legalizimeve, rrugëve të degraduara dhe gjendjes së rëndë të shkollave dhe kopshteve.

Ai ka bërë të ditur dhe 357 probleme që janë evidentuar, duke iu referuar çdo rruge dhe rrugice të kësaj zone, me problematikën përkatëse, të cilat pas 21 Qershorit “do të jenë në fokusin e bashkisë”.

“102 rrugë të amortizuara dhe me gropa. Këto probleme do të kenë vëmendjen tonë që në ditët e para. Ne kemi pasur raportime nga shumë qytetarë, sidomos për fëmijët e vegjël ose të moshuarit që udhëtojnë natën, këto 33 puseta janë kurthe vdekje për këdo që kalon natën”, u shpreh Veliaj.

Në këtë takim ishte dhe Spartak Ngjela, i cili shpjegoi dhe arsyet se pse ishte i pranishëm. “Dy janë arsyet pse kam ardhur këtu sot. E para, sepse u binda se fiton. Pa këtë bindje sado mik, nuk do kisha ardhur. Më kryesorja, Veliaj është i pakorruptueshëm. Hiqi korrupsionin këtij qyteti se po i merr shpirtin”, tha Ngjela.

Top Channel