PD denoncon për nepotizëm kandidatin e majtë në Librazhd

27/05/2015 00:00

Vetëm një ditë pasi Kryeministri Edi Rama prezantoi në Librazhd kandidatin e mazhorancës për kryetar bashkie, Kastriot Gurra, nga opozita ka ardhur një denoncim i asaj që, nga selia blu e konsiderojnë si simbol të abuzimit dhe nepotizmit.

Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, mëngjesin e së mërkurës ka publikuar një listë të ashtuquajtur nepotike, ku sipas opozitës, ishin pasqyruar dëmshpërblimet që Kastriot Gurra ka dhënë për të afërmit e tij, teksa ishte në funksionin e kryetarit të Komunës Qukës. Fondet, sipas listës në fjalë, janë dhënë ndaj njerëzve më të afërt të bashkëshortes së tij, duke sajuar përmbytje apo dëme natyrore fiktive.

“Edi Rama prezantoi në Librazhd kandidatin e tij dhe të Taulantit dhe i thuri atij lavde në një shfaqje të ekzagjeruar mediatike. Mburrjet e Ramës për kandidatin, në fakt janë pjesë e teatrit të tij, pasi e vërteta qëndron krejt ndryshe. Po i tregojmë sot publikut vetëm një rekord të kandidatit të qeverisë për Librazhdin, çka dëshmon qartë se çfarë është në gjendje të bëjë ky person kur ka pushtet”, u shpreh deputeti Boçi.

Në fund, PD e ka mbyllur denoncimin duke ftuar qytetarët e Librazhdit të bëjnë ndryshimin më 21 Qershor, duke refuzuar modelin e abuzimit dhe duke votuar për punë e dinjitet.

Top Channel