Më mirë pa taksa?!

27/05/2015 00:00

Eduart Gjokutaj – Ofertat politike për ulje taksash, të shpallura në çdo kohë zgjedhjesh ngjasojnë me ofertat e tregtarëve për ulje çmimesh. Produkti që shitet është morali politik për të joshur votuesit që të kthejnë vëmendjen nga “malli” që shesin disa politikanë.

Në fakt, një mall i lirë është tërheqës për këdo nga ne. Por, malli i lirë nuk ka vlerë afatgjatë.

Metafora e politikanit që kërkon ulje të taksave është një situatë surreale dhe nuk ka lidhje me shtetin kapitalist dhe shtetin që bazon shërbimet dhe ekzistencën e tij te taksat dhe konsolidimi i financave të vendit.

Nëse shteti do të bazohej mbi taksat e ulëta, atëherë ambienti ku mund të zbatohej ky model do të duhej të ishte një ambient i ngjashëm me ato të vendeve nordike, apo vende të tjera që kanë arritur të fitojnë betejat me evazionin.

Por, ja që ambienti ekonomik dhe social i Shqipërisë nuk ka asnjë ngjashmëri, sado të vogël me këto zona të botës. Por, edhe pse nuk kemi ngjashmëri, kushdo nga ju mund të lexojë se në gjithë këto vende nuk bëhet një zhurmë e tillë si në Shqipëri për ulje taksash. Nëse ndodh që taksat të ulen ato duhet të llogariten të mbajnë buxhetin në këmbë. Përndryshe do të ketë më pak lekë dhe një shtet më të dobët dhe në dëm të vlerave kombëtare.

Ne në Shqipëri nuk kemi situata buxhetore si të këtyre vendeve.

Ne në Shqipëri kemi lënë pa paguar më shumë se gjysmën e shpenzimeve buxhetore për mallra e shërbime, apo për vendime që motivoheshin nga ambicie politike. Ne në Shqipëri nuk kemi arritur ende në gjithë këto 25 vite të mbledhim më shumë se gjysmën e të ardhurave që mblidheshin nga buxhetin i shtetit shqiptar të para viteve ’90.

Ne në Shqipëri, as nuk kemi arritur të shpenzojmë në investime më të mëdha se ato që ndërtoheshin me lekët e buxhetit të shtetit të para viteve ’90. Ne, nuk arritëm dot të zëvendësonim sistemin shëndetësor me një të duhur për kohën që jetojmë, apo sistemin arsimor me një më të zhvilluar apo më modern.

Ne në Shqipëri nuk arritëm të rindërtonim dot as një polici që të shërbente dhe ta mbronte qytetarin. Ne në Shqipëri nuk arritëm dot të tërheqim asnjë investitor që të ishin pjesë e emrave të mëdhenj të shumëkombësheve ndërkombëtare.

Për të mos vijuar me secilin aspekt që preket direkt apo jo direkt nga politika buxhetore dhe ajo fiskale nuk mund të shpallet ulja e taksave, kur shteti nuk ka mbyllur luftën me informalët, krimin ekonomik dhe evazionistët e mëdhenj. Diskutimi për buxhetin, për taksat, për energjinë, për edukimin, për shëndetësinë, për pensionet, për kombin nuk mund të kthehen në objekt marketingu.

Por, le të kthehemi te modelet e taksimit!

Taksimi i sheshtë nuk rezultoi të ishte një taksë e lirë për shumicën e popullsisë. Ky model i mori të ardhurat nivelit të mesëm dhe të ulëta dhe e shteroi burimin e konsumit pak nga pak prej vitit 2008. Mënyra e taksimit me një shkallë për të gjithë (e sheshtë) e vendoste peshën e saj tatimore mbi individin te baza e piramidës së të ardhurave (pagat e ulëta dhe të mesme) duke i marrë në vlerë më shumë. Individëve më pranë majës së piramidës në të ardhurave (pagat e larta dhe individëve me para e kapital të madh) u merrte më pak.

Baza e tatimpaguesve me të ardhura të ulëta deri në të mesme mbante një peshë më të madhe mes njëri-tjetrit, se sa ata që ishin në majë të piramidës të ardhurave, që ndanin një peshë më të ulët. Të parëve u mbeteshin më pak lekë pas tatimit, të dytëve u mbeteshin shumë më shumë lekë pas tatimit.

Edhe pse tatimi i sheshtë ka popullaritet, pasi ai eliminon taksimin e dyfishtë, i vetmi pozitivitet i tij është se u ka mundësuar individëve që:

– të zgjerojnë në një volum të konsiderueshëm kapitalet

– të mbartin më shumë fitime në vite dhe

– të kenë shtim të pasurive, që prodhojnë vlerë të shtuar për familjet e tyre.

Dhe kur themi individ, nëse shikojmë në Shqipëri dhe ndoshta edhe në Ballkan e kemi parasysh se me këtë model taksimi nuk fitojnë të gjithë.

Një individ nuk bëhet i suksesshëm i varur nga politika e taksave. Ai arrin suksesin se është i bazuar mbi talentin dhe punën e tij. Çdo profesionist bëhet i tillë se ai e dëshiron këtë status profesional dhe social. Një pjesë e madhe e të ardhurave pas taksave të kursyera nga profesionistët shkojnë për investime dhe më pak për konsum. Ata investojnë në shtëpi të dyta, pasuri të tjera, si: jahte, makina dhe mallra luksi, apo shërbime të shtrenjta. Në këtë mënyrë, efekti i tyre ka shkuar në rritje të pasurisë. Tatimi që kërkohet sot nga bizneset dhe individët është vetëm pak nga pjesa e grumbulluar deri më sot dhe që preken nga sistemi progresiv pasi ai merr më shumë aty ku ka pasuri më shumë.

Përvoja e mbi një viti argumentoi me fakte se administrimi i financave dhe zhvillimi i ekonomisë nuk mund të mbështetej ende te polarizimi i shoqërisë, ku taksa e sheshtë rezultoi me gunga për një shumicë të shoqërisë. Ata që fituan gjithë këto vite jo vetëm dëmtuan pak nga pak konsumin, pasi i hoqën lekët e konsumit nga duart shtresave konsumatore, por nga ana tjetër, duke qenë me probleme fiskale dhe investime mbështetur nga politika dhe jo nga tregu, kanë çorientuar fluksin e qarkullimit monetar në vend me nxjerrjen e sasive monetare jashtë vendit.

Nga ana tjetër, tatimi progresiv po ndihmon ashtu pa zhurmë barazinë sociale. Gjithë problemi qëndron te fakti më i thjeshtë që bën të aftë ekonominë të funksionojë dhe të ecë përpara: rishpërndarja e të ardhurave te shtresat e varfra dhe të mesme, si baza e piramidës së konsumit. Për të mundësuar rishpërdarjen u modelua sistemi i taksimit progresiv mbi të ardhurat. Barrën kryesore të tatimeve duhet ta mbajë individi më i fortë ekonomikisht. Kjo është njëlloj si logjika e gravitetit, e cila nuk injorohet dot.

Kriza rajonale, që e ka rrethuar dhe ka depërtuar në biznesin shqiptar, të cilit nuk i ishte garantuar deri më sot asnjë barrierë mbrojtëse ndaj rreziqeve të saj shtroi pa pyetur shumë para qeverisë kërkesën që të fuqishmit dhe individët e pasur duhet të paguajnë “pjesën e ndershme” të barrës. Edhe bizneset shqiptare kur janë pyetur dhe anketuar janë shprehur të gatshëm për të mbajtur këtë barrë.

Ne nuk mund të konkurrojmë në rajon me taksat, por me produkte shqiptare që rritin ekonominë dhe lehtësohen sipas kontributit që japin në buxhetin shqiptar.

Detyra i takon qeverisjes së majtë që të zvogëlojë diferencimet (rishpërndarjen e barrës) në të ardhura që u krijuan në këto vite të fundit.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA