Elbasan, Sejdini ndalet në “Fushë Mbret” dhe në periferi. Edhe Turku, fushatë nëpër fshatra

27/05/2015 00:00

Në takimin elektoral me banorë të lagjes “Fushë Mbret”, kandidati i ASHE-së për Elbasanin, Qazim Sejdini ka paraqitur një pjesë të programit të tij për punësimin dhe zhvillimin e ekonomisë.

Përsa i përket punësimit, Sejdini tha se një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet kthimit të ish-Kombinatit Metalurgjik në një zonë me zhvillim ekonomik të përmirësuar.

Ndërkohë, gjatë takimit me banorë të fshatit Kusarth, Sejdini parashtroi funksionimin e bashkisë së ardhshme dhe kryesisht funksionimin e komunave ekzistuese. Ai u premtoi fermerëve se, shumë shpejt do të përfundojë një nga problemet më madhore të tyre, azhornimi i tokave, i cili do të bëhet nga specialistë të Bashkisë.

Gjithashtu, Sejdini shtoi se fshatrat do të kenë infastrukturë, ndriçim dhe qendra komunash të sistemuara.

Nga ana tjetër, kandidati i opozitës për kryebashkiak të Elbasanit, Ardian Turku, ka zhvilluar disa takime me banorë të fshatrave Gjergjan, Shelcan dhe Muriqan, që do të jenë pjesë e bashkisë së re të qytetit.

Turku ka theksuar impenjimin e tij në krye të Bashkisë së Elbasanit pas 21 Qershorit, për t’u dhënë zgjidhje problemeve, me të cilat hasen banorët e kësaj zone.

Pas takimit, Ardian Turku ka parë nga afër edhe ambientet e Kishës së Shelcanit, ku premtoi mirëmbajtjen e kësaj kishe me vlera të mëdha kulturore. Gjithashtu, Turku tha se do të ndërhyhet edhe në infrastrukturë, për t’i bërë të vizitueshmë për turistët vendas dhe të huaj këto vlera të mëdha kulturore.

Top Channel