Basha, në Kavajë e Rrogozhinë: Të bashkojmë votat kundër mashtrimit

27/05/2015 00:00

Kreu i forcës më të madhe politike në opozitë, Lulzim Basha, është takuar me banorë të Kavajës dhe Rrogozhinës, ku është njohur me shqetësimet e shumta të tyre, duke nisur që nga papunësia, përjashtimi nga skema e ndihmës ekonomike e shumë familjeve të varfra, si dhe futja – siç thonë nga selia blu – në skemë e miqve dhe të afërmve të qeveritarëve, por edhe rritja e çmimit të energjisë.

“Zgjidhja për të gjitha këto probleme është të bashkojmë votat për të ndalur të keqen, për ta larguar atë dhe për t’i hapur rrugë punësimit me djersën e ballit, me aftësi dhe me meritë. Ne po bëjmë një ofertë për qytetarët: të ulim taksat, të ulim çmimin e energjisë me 25 për qind, të falim kamatëvonesat, sepse janë bërë të papërballueshme për shqiptarët. Ne po ofrojmë mundësi, që përmes dedikimit të fondeve të shtetit për investime publike dhe mbështetjes ndaj biznesit, duke ulur taksat, të hapen më shumë vende pune”, është shprehur kryetari i PD-së, Basha.

Mes banorëve të këtyre dy qyteteve mbizotëron një gjendje zhgënjimi dhe braktisjeje, që siç thotë Basha, ka prekur të majtë e të djathtë dhe që dëshmohet përmes listave të gjata të borxheve nëpër dyqanet ushqimore. Një tjetër shqetësim është edhe shëndetësia, për të cilën kreu i opozitës thotë se jo vetëm që nuk është falas, por sot ka rënë edhe pre e vjedhjes së një fondi prej 1.5 milionë dollarësh për kompensimin e ilaçeve.

“Mashtrimi me shëndetësinë falas është më i pashpirti i bërë ndonjëherë. Përveç mashtrimit, ata kanë futur duart edhe në fondin e kompensimit, duke vjedhur 1.5 milionë USD që duhej të përdoreshin për rimbursimin e barnave”, deklaroi Lulzim Basha.

Top Channel