Veliaj: Banesa sociale dhe ushqim për të pastrehët

26/05/2015 00:00

I shoqëruar dhe nga një interpretues i gjuhës së shenjave, shërbim të cilin ka qenë Erion Veliaj që e ka risjellë në vëmendje gjatë kohës që ishte ministër dhe nga Blendi Klosi, ministri i ri i Mirëqënies Sociale, kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës ka prezantuar 7 pikat e programit të tij për kujdesin social.

“Tre mensa sociale për të ofruar ushqim falas për shtresat në nevojë, në partneritete publike-private; pesë qendra ditore për të moshuarit; program riintegrimi social përmes të cilit do t’u ofrohet punë në shërbim të komunitetit qytetarëve që përfitojnë ndihmë ekonomike; garantim i aksesit në institucionet publike në Tiranë për personat me aftësi të kufizuara; program i posaçëm për mbrojtjen dhe kujdesin për fëmijët në situatë rruge; shpërndarje brenda 100 ditëve e të gjitha banesave sociale; hartim i një politike të mirëfilltë për strehimin social”, ka deklaruar Veliaj.

Kandidati i majtë nuk ka lënë pa akuzuar dhe Bashkinë aktuale të Tiranës, e cila në këto 4 vite nuk i ka kushtuar asnjë rëndësi kujdesit social.

“Nuk kemi parë një bashki solidare, që i rri afër dhe i jep muskulin e vetë atij që është nevojtar. Kryetari është në fushatë, ndërsa nënkryetari në Korçë. Pyes vetën ç’bën kryetari në Holandë dhe nënkryetari në Korçë, kur e marrin rrogën nga Bashkia e Tiranës. Ka qenë një thyerje për më të dobëtit që kanë pasur nevojë ta kenë bashkinë në krah”, ka thënë Veliaj. 

Top Channel