Mbyllet samiti, SEECP: Ballkani do të ruajë paqen

26/05/2015 00:00

Me deklaratën për vijimin e komunikimit, bashkëpunimit dhe promovimit të fqinjësisë së mirë është mbyllur samiti i krerëve të shteteve dhe qeverive të SEECP-it, mbajtur në Tiranë.

Bullgaria, Moldavia dhe Kosova u përfaqësuan nga krerët e shteteve; Rumania me kryeministrin, ndërsa fqinjët tanë, Greqia dhe Maqedonia u përfaqësuan vetëm me zëvendësministrat e Jashtëm, duke u kthyer edhe në tregues të marrëdhënieve aktuale të Shqipërisë me këto dy shtete.

Marrëdhëniet e vështira mes fqinjëve në rajon, paqja e brishtë dhe ekuilibrat e dobët që dolën edhe njëherë në pah me ngjarjen tragjike të Kumanovës, fokusuan mesazhet e krerëve të shteteve në këtë fakt, ndërsa Presidenti i Shqipërisë shkoi dhe më tej, kur edhe nga kjo tryezë parashtroi të njëjtën kërkesë të aktorëve të tjerë të shtetit shqiptar.

“Kriza që ka përfshirë Maqedoninë nuk duhet përshkallëzuar më tej. Pritshmëria jonë legjitime është të ketë një hetim të plotë, të shpejtë e të besueshëm për këtë ngjarje plot dritëhije, që ka tronditur shqiptarët e pafajshëm të Kumanovës, por edhe të gjithë ne dhe partnerët ndërkombëtarë. Të mos kthehet kjo ngjarje në një konflikt të paqenë ndëretnik”, tha Nishani.

E vënë nën akuzën e Rusisë se së bashku me Shqipërinë po kërkojnë ndarjen e Maqedonisë, Presidenti bullgar kërkoi të bëjë edhe në Tiranë sqarimin kundër cënimit territorial dhe ndryshimit të kufijve në Ballkan. Madje Bullgaria që merr edhe Presidencën e radhës së Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore, do të vendosë në qendër të kryesimit të saj stabilitetin rajonal.

Rosen Plevneliev tha: “Bullgaria do të punojë për një deklaratë për të rikonfirmuar parimin e moscenimit të kufijve kombëtare. Ne nuk duam që të këtë luftëra në Ballkan, por duam paqe dhe stabilitet. Nuk duam që kufijtë të lëvizen më, por duam që këto kufij të mos jenë më të dukshëm. Ne duam që zgjedhja sovrane e popujve të Ballkanit të respektohet. Duam që njerëzit t’i bëjmë bashkëpunëtorë dhe jo luftëtarë”.

Mesazhin për një Ballkan larg konflikteve e dha edhe kryeministri rumun, Viktor Ponta: “Jemi të përkushtuar për të bashkëpunuar. Kemi interes për zhvillimin e rajonit, jo për konflikte dhe mosmarrëveshje. Paqja dhe qëndrueshmëria janë thelbësore”.

Presidenti bullgar dhe kryeministri rumun, të dy përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së i kërkuan Ballkanit, në përpjekje e sipër për t’u integruar, të qëndrojë larg konflikteve etnike, sikundër edhe nacionalizmave. “Të ndërlidhemi mes njëri-tjetrit, me tregje të përbashkëta, linja transporti tokësor dhe hekurudhor, vetëm kështu mundemi bashkë të ecim, të përballim fatkeqësitë natyrore apo terrorizmin”, thanë dy përfaqësuesit e vendeve antare të BE-së, që përçuan nga Tirana mesazhin se, dera e BE-së është e hapur, mjafton vullneti dhe përkushtimi për t’iu afruar.

Top Channel